Emiri i Katarit dhe Sekretari amerikan i Shtetit diskutuan përpjekjet ndërmjetësuese për armëpushim në Gaza
Emiri i Katarit Tamim bin Hamad Al-Thani diskutoi me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Antony Blinken përpjekjet e fundit ndërmjetësuese për të arritur një armëpushim në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Takimi i së mërkurës me Blinkenin është mbajtur në Doha. I pranishëm ka qenë edhe kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, tha Agjencia e Lajmeve e Katarit.
Në takim janë diskutuar "marrëdhëniet e ngushta strategjike mes dy vendeve mike dhe mënyrat për t’i mbështetur dhe zhvilluar ato në fusha të ndryshme", tha agjencia zyrtare e lajmeve.
Ata kanë diskutuar gjithashtu zhvillimet më të spikatura rajonale dhe ndërkombëtare të interesit të përbashkët, "kryesisht zhvillimet në Rripin e Gazës dhe territoret e pushtuara palestineze, përveç përpjekjeve të vazhdueshme ndërmjetësuese për të arritur një armëpushim të menjëhershëm dhe për të siguruar rrjedhën e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës".
Të mërkurën, Blinken mbërriti në Katar nga Jordania, që ishte ndalesa e tij e fundit në një turne treditor në Lindjen e Mesme që përfshinte gjithashtu vizita në Egjipt dhe Izrael./AA