Smotrich i Izraelit zotohet se do të aneksojë Bregun Perëndimor
Ministri izraelit i Financave i ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, ka deklaruar se ai planifikon ta bëjë Bregun Perëndimor të pushtuar pjesë të Izraelit, transmeton Anadolu.
“Ne do të zbatojmë sovranitetin mbi Bregun Perëndimor, fillimisht përmes veprimeve në terren dhe më pas përmes legjislacionit dhe njohjes formale”, tha Smotrich gjatë një takimi të Partisë Fetare Sioniste.
Smotrich tha se puna e jetës së tij është “të pengojë çdo mundësi për krijimin e një shteti palestinez në zemër të vendit (Izraelit)”.
Dje, ministri ekstremist konfirmoi atë që zbuloi New York Times nga një fjalim i regjistruar nga ai mbi planet e tij për të imponuar kontrollin e Izraelit mbi Bregun Perëndimor.
Palestinezët akuzojnë Izraelin se po shfrytëzon luftën në Rripin e Gazës për të intensifikuar ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebreje në territoret e pushtuara konsiderohen si të paligjshme.
Vlerësimet tregojnë se rreth 720 mijë kolonë jetojnë në 164 vendbanime dhe 116 poste në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor./AA