Borrell: Miqësia me Putinin dhe anëtarësimi në BE nuk shkojnë së bashku
Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi se ambiciet për anëtarësim në bllok dhe raportet e ngushta me Moskën nuk shkojnë së bashku.
Si pjesë e takimit ministror, krerët e diplomacisë evropiane zhvilluan një drekë pune me homologët e tyre nga Ballkanit Perëndimor. Përshtatja me politikën e jashtme evropiane përfshin edhe sanksionet ndaj Rusisë dhe kjo ishte ndër temat kyçe të diskutimeve gjatë kësaj dreke pune.
Sipas Borrellit, BE-ja është e gatshme që gradualisht të thellojë integrimin dhe të zgjerojë mbështetjen për partnerët nga Ballkani Perëndimor. Por, ai tha se Brukseli pret që këto shtetet qëndrojnë së bashku me evropianët në mbrojtje të rendit ndërkombëtar dhe veçmas për çështjen e Ukrainës dhe masave të ndërmarra për të kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë harmonizuar vendimet me BE-në sa i përket sanksioneve kundër Rusisë. Që nga nisja e pushtimit më 2022, BE-ja ka vendosur 14 runde sanksionesh ndaj Rusisë në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës./EN