Holandë, lideri racist dhe islamofob Wilders në ditën e tretë të detyrës kritikon kryeministrin që propozoi vetë
Lideri racist dhe antiislam në Holandë, Geert Wilders, kritikoi në ditën të tretë të detyrës si "të dobët" kundër opozitës kryeministrin Dick Schoof, të cilin ai e propozoi për qeverinë e koalicionit të ekstremit të djathtë dhe qendrës së djathtë, transmeton Anadolu.
Wilders, lideri i Partisë së Lirisë (PVV), e cila fitoi 37 vende me 23,5 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të mbajtura në vend më 22 nëntor 2023, kishte deklaruar se dëshironte të krijonte qeverinë e koalicionit në të cilin janë të përfshirë edhe partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD), e udhëhequr nga Dilan Yeşilgöz, e cila mori vendin e tretë me 24 vende, Partia e Kontratës së Re Sociale (NSC), e udhëhequr nga Pieter Omtzigt, që zuri vendin e katërt me 20 vende, si dhe Partia e Lëvizjes së Qytetarëve Fermerë (BBB), e udhëhequr nga Caroline van der Plas, e cila zuri vendin e gjashtë me 7 vende.
Wilders, dëshira e të cilit për t'u bërë kryeministër u refuzua në negociatat e koalicionit me partitë në fjalë, së fundmi sugjeroi që ish-shefi i inteligjencës Dick Schoof të bëhej kryeministër dhe partnerët e tij të koalicionit e pranuan këtë propozim pasi Wilders nuk do të ishte në qeveri.
Me kryeministër Schoof, qeveria e koalicionit të ekstremit të djathtë dhe qendrës së djathtë, për të cilën Wilders tha se ishte e vetmja mundësi që nga dita e parë, u betua më 2 korrik, 223 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në Holandë më 22 nëntor 2023.
Pikëpamjet e ndryshme të mendimeve mes Wilders dhe kryeministrit të propozuar prej tij u paraqitën teksa qeveria ndodhet ende në ditën e tretë të saj.
Ndërsa në parlamentin holandez po diskutohej programi i qeverisë, nga opozita u bënë shumë pyetje nëse do të ndiqen politika raciste dhe rreth ministrave racistë në qeveri.
Në përgjigje të këtyre pyetjeve, ish-shefi i inteligjencës holandeze, Schoof, siguroi se qeveria e tij "nuk do të përfshihet në racizëm apo diskriminim", se do të ndjekë politika gjithëpërfshirëse për të gjithë dhe se do t'i përmbahet kushtetutës.
Ndërkaq, Wilders, i cili mendon se Schoof nuk ka mbrojtur në mënyrë të mjaftueshme vete dhe ministrat "racistë" të partisë së tij në qeveri, tha se përgjigjet e kryeministrit i konsideron "të dobëta".
Përveç fjalimit të tij në parlament, Wilders vazhdoi kritikat e tij ndaj Schoof edhe përmes rrjetit social X, ku ai deklaroi: "Nëse ministrave të PVV-së u thuhet ‘racistë‘ në një debat në parlament, kryeministri duhet të distancohet menjëherë nga ky debat. Unë nuk do të pranoj asgjë më pak. Do të jem gjithmonë pranë ministrave tanë".
Kjo kritikë e Wilders ndaj kryeministrit tërhoqi reagimin e Yeşilgöz, lideres së VVD-së që është partnere e koalicionit. Në mesazhin e saj në X, Yeşilgöz akuzoi Wilders se ka "vepruar në mënyrë të papërgjegjshme" duke kritikuar kryeministrin Schoof, ndërkohë që opozita vendoste në objektiv qeverinë./AA