Lidhje


Kremlini kritikon vendimin e Britanisë për të autorizuar Ukrainën të përdorë armët britanike për sulme në Rusi

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov kritikoi vendimin e Britanisë së Madhe për të autorizuar Ukrainën që të përdorë armët e furnizuara nga Britania për sulme në territorin rus, raporton Anadolu.

 

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Peskov e përshkroi njoftimin e kryeministrit britanik Keir Starmer si një "hap absolutisht të papërgjegjshëm".

 

"Nëse është kështu, atëherë, sigurisht, ky është një hap tjetër i papërgjegjshëm drejt rritjes së tensioneve dhe përshkallëzimit serioz të situatës. Ne do ta monitorojmë me kujdes këtë dhe natyrisht, do të marrim masat e duhura", tha ai.

 

Peskov tha se Rusia po punon për të garantuar sigurinë e rajoneve në kufi me Ukrainën, të cilat po vuajnë më shumë nga sulmet e Kievit, por shtoi se përmasat e detyrës kërkojnë kohë.

 

"Zbatimi i kësaj detyre kërkon kohë. Po punohet në këtë drejtim", theksoi ai.

 

Duke komentuar vizitën e kryeministrit indian Narendra Modi në Rusi dhe bisedimet e tij me presidentin rus Vladimir Putin, Peskov tha se nuk u zhvilluan diskutime me delegacionet sepse të gjitha çështjet u trajtuan gjatë bisedimeve në një format të ngushtë.

 

"Formati i ngushtë ishte mjaft gjithëpërfshirës. U përfaqësuan krerët e thuajse të gjitha fushave kryesore të bashkëpunimit. Ne u ulëm për më shumë se dy orë e gjysmë në formatin e ngushtë, më pas me diskutime shtesë mbi gjysmë ore. Në total bisedimet zgjatën më shumë se tri orë", theksoi ai.

 

I pyetur për pjesëmarrjen e atletëve rusë në Lojërat Olimpike "Paris 2024", Peskov tha se u takon atyre të vendosin nëse do t'i bashkohen garës apo jo.

 

Duke folur për rezultatet e një sondazhi publik që tregoi se 80 për qind e rusëve i besojnë Putinit, zëdhënësi i Kremlinit tha: "Kjo është kryesisht për shkak të punës së vështirë dhe të përgjegjshme që presidenti bën çdo ditë"./AA

XS
SM
MD
LG