Lidhje


Turqia, Suedia dhe Finlanda do të takohen në Bruksel për bisedimet e NATO-s

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka bërë të ditur se sot në Bruksel do të mbahet takimi i pestë për një mekanizëm të përbashkët të përhershëm midis Türkiye-s, Finlandës dhe Suedisë.

Takimi do të organizohet nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ndërsa do të marrin pjesë delegacione nga Türkiye, Finlanda dhe Suedia.

Delegacioni turk do të përfshijë ministrin Fidan, kreun e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT), İbrahim Kalın, zv.ministrin e Punëve të Jashtme, Burak Akçapar dhe Akif Çağatay Kılıç, këshilltari kryesor i presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

 

“Gjatë takimit do të shqyrtohen hapat e ndërmarra nga Finlanda dhe Suedia, veçanërisht në kuadër të luftimit të terrorizmit në dimensione të ndryshme, bazuar në Memorandumin Trepalësh, që nga takimi i mëparshëm i mbajtur në Ankara më 14 qershor të vitit 2023”, thuhet në njoftimin e ministrisë turke.

 

Takimi vjen para se liderët e NATO-s të mblidhen në një samit në Vilnius të Lituanisë më 11-12 korrik.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

 

Edhe pse Türkiye miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia t’i përmbahet një memorandumi trepalësh të nënshkruar në qershor të vitit 2022 në Madrid për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë.

 

Në muajin nëntor, Suedia miratoi një ligj kundër terrorizmit, duke shpresuar se Ankaraja do të miratojë aplikimin e Stockholmit për t’u bashkuar me NATO-n. Ligji i ri, në fuqi nga 1 qershori, i lejon autoritetet të ndjekin penalisht individët që mbështesin grupet terroriste. Burimi: AA

XS
SM
MD
LG