Bideni bën "lëvizje" të zgjuar pas atentatit ndaj Trump: Koha për t’i bërë të jashtëligjshme armët në SHBA
Wednesday, 17 July 2024 17:45
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbajtur fjalimin në Konventën Kombëtare të NAACP në Las Vegas.
Pas kësaj turma bërtiti “katër vite të tjera”, 81-vjeçari i falënderoi për pjesëmarrjen, ndërsa atyre iu referua si “miq të vërtetë”.
Ai tha se pas atentatit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, ka një “moment të tensionuar”, raporton Sky News.
“Politika jonë është nxehur shumë… ne të gjithë kemi përgjegjësi për të ulur temperaturën dhe për të dënuar dhunën në çdo formë”, u shpreh Bideni.
Presidenti vazhdoi duke e quajtur “të sëmurë” nivelin e dhunës të kryer me armë në vend.
“Një AR-15 u përdor në të shtënat ndaj Donald Trump. Një armë sulmi që ka vrarë shumë të tjerë, duke përfshirë fëmijë. Është koha për t’i bërë të jashtëligjshme. E bëra një herë dhe do ta bëj përsëri”.
Ai i kritikoi politikat e ndjekura nga Trumpi, që kanë të bëjnë me kufizimin e kujdesit shëndetësor dhe uljen e taksave.
Bideni kritikoi edhe atë që ai e quajti “keqmenaxhim të pandemisë” nga Trumpi, dhe “përhapjen e gënjeshtarve” për ish-presidentin amerikan Barack Obama.
Ai renditi arritjet e administratës së tij, duke përfshirë rritjen ekonomike, uljen e deficitit, bërjen e kujdesit shëndetësor më të përballueshëm, uljen e varfërisë.
Presidenti parashtroi një plan për 100 ditët e para të mandatit të dytë, duke përfshirë rivendosjen e të drejtave të abortit.
Administrata e ardhshme e Bidenit do t’i detyrojë miliarderët të paguajnë një minimum prej 25% taksa federale, tha ai, ku pastaj pati duartrokitje nga audienca./AA