Erdoğan telefonatë me Trumpin: "Tentativa për atentat, sulm ndaj demokracisë"
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan e përshkroi tentativën e javës së kaluar për atentat ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trumpit si sulm ndaj demokracisë, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës turke, Erdoğan dhe Trump zhvilluan një bisedë telefonike, duke folur në lidhje me atentatin gjatë mitingut në shtetin amerikan të Pensilvanisë të shtunën dhe pasojat e tij.
Presidenti turk dënoi përsëri sulmin, shprehu ngushëllimet e tij dhe uroi për shërimin e shpejtë të Trumpit.
I dyshuari 20-vjeçar Thomas Matthew Crooks hapi zjarr nga një çati afër tubimit. Një plumb kaloi nga veshi i djathtë i Trumpit dhe ai u shoqërua menjëherë nga agjentët e Shërbimit Sekret.
Erdoğan vlerësoi “reagimin e guximshëm të Trumpit pas incidentit, duke vënë në dukje se vazhdimi i programit të tij pa ndërprerje forcon demokracinë dhe pasqyron besimin e popullit amerikan”.
Të hënën, dy ditë pas sulmit, Trump mori pjesë në Konventën Kombëtare Republikane.
Udhëheqësi turk theksoi gjithashtu përpjekjet e Trumpit për të ulur polarizimin dhe tensionin në shoqëri, duke vënë në dukje mesazhet e tij për unitet pas sulmit.
Duke e përgëzuar Trumpin për nominimin e tij zyrtar si kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale në nëntor, ai shprehu shpresën se votimi do të sjellë prosperitet për popullin amerikan dhe marrëdhëniet Türkiye-SHBA./AA