Mbi 39 mijë palestinezë janë vrarë në Gaza në sulmet izraelite që nga 7 tetori
Monday, 22 July 2024 15:39
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës ku për 290 ditë vazhdojnë sulmet izraelite është rritur në mbi 39 mijë, transmeton Anadolu.Në njoftim thuhet se ushtria izraelite ka kryer 3 "masakra" në rajone të ndryshme të Gazës në 24 orët e fundit dhe se në këto sulme kanë humbur jetën 23 palestinezë të tjerë dhe janë plagosur 91 persona.Me këtë numri i palestinezëve të vrarë që nga 7 tetori i vitit 2023 është rritur në 39.006 ndërsa i të plagosurve në 89.818.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të të vrarëve ndërsa ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat për shkak të pengesave nga forcat izraelite.
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga një sulm i 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.
Mbi nëntë muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, pjesë të gjera të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade paralizuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./AA