Netanyahu shtyn evakuimin e 150 fëmijëve të plagosur dhe të sëmurë nga Gaza për në EBA
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shtyrë evakuimin e 150 fëmijëve palestinezë të plagosur dhe të sëmurë nga Rripi i Gazës për në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për trajtim, transmeton Anadolu.
"Një grup fëmijësh të sëmurë nga Gaza duhej të niseshin për në EBA nëpërmjet Izraelit të hënën, por pas incidentit në Majdal Shams, kryeministri Netanyahu urdhëroi një shtyrje të nisjes të tyre", njoftuan mediat izraelite.
Bëhet e ditur se Netanyahu vendosi të shtyjë nisjen e fëmijëve përmes bazës ajrore Ramon të Izraelit, duke mos dhënë një datë të re të nisjes për fëmijët e sëmurë.
Nuk ka pasur asnjë koment nga EBA për këtë çështje. Të shtunën, një sulm me raketa u krye në një fushë futbolli në qytetin Majdal Shams në Lartësitë e pushtuara të Golanit, duke vrarë 12 persona, përfshirë fëmijë.
Teksa Izraeli ka fajësuar Hezbollahun për sulmin e së shtunës, grupi libanez mohoi përgjegjësinë.
Frika është rritur për një luftë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut në mes të një shkëmbimi të sulmeve ndërkufitare midis dy palëve. Përshkallëzimi vjen në sfondin e një sulmi vdekjeprurës izraelit në Gaza, në të cilin janë vrarë më shumë se 39.300 palestinezë që nga tetori i kaluar, pas një sulmi nga grupi i rezistencës palestineze Hamas./AA