Kisha Ortodokse Ruse reagon për atë që ndodhi në hapjen e Lojërave Olimpike në Paris
Kisha Ortodokse Ruse tha se të krishterët u ofenduan në hapjen e Lojërave Olimpike në Paris, kryeqytetin e Francës, duke theksuar se një "kulturë e bazuar në përjashtimin e zotit" është në rritje në Evropë, transmeton Anadolu.
Nënkryetari i Departamentit të Komunitetit dhe Marrëdhënieve me Median e Kishës, Vakhtang Kipshidze, reagoi ndaj rishfaqjes së "Darkës së Fundit", ku profeti Isa ishte përshkruar si "drag queen" (burrë i veshur me rroba të grave dhe i grimuar) si dhe ndaj ngjarjeve tjera në hapjen e Lojërave Olimpike Paris 2024.
Duke thënë se ajo që ndodhi ishte një shprehje e intensifikuar e proceseve që ekzistonin para Lojërave Olimpike dhe do të vazhdojnë edhe më pas, Kipshidze vuri në dukje se u përcoll një kult i vdekjes pa dhimbje i shoqëruar me muzikë dhe fishekzjarre.
Ai rikujtoi edhe ndalesën e mbajtjes së flamurit rus në Lojërat Olimpike, duke shtuar: "Nëse kjo demonstratë demonike do të bëhej nën hijen e flamurit tonë, nuk do të ishte e mundur të përjetonim gëzim të madh".
Kipshidze tha gjithashtu se ata qëndrojnë në solidaritet me miliona të krishterë që u ndjenë të fyer nga skena në ceremoninë e hapjes.
"Ata që drejtuan hapjen e Lojërave Olimpike demonstruan përbuzjen e tyre për qytetërimin evropian dhe krishterimin si bazë të tij. Është e trishtueshme të shohësh një kulturë të bazuar në përjashtimin e zotit që po rritet në qendër të Evropës, që parodizon krishterimin ashtu si një majmun parodizon një qenie njerëzore", theksoi Kipshidze./AA