100 të vdekur pas sulmit izraelit në Rripin e Gazës
Pas një sulmi ajror izraelit në një shkollë në Rripin e Gazës, sipas të dhënave të mjekëve e ndihmës së shpejtë në vend janë vrarë 100 vetë. Zyra e medias në Rripin e Gazës e kontrolluar nga Hamasi, bëri të ditur, se ushtria izraelite e goditi shkollën, që përdoret si strehë refugjatësh gjatë faljes së Faxhit në mëngjes herët. Edhe kanali arab, al-Xhazira duke iu referuar të dhënave palestineze të mbrojtjes civile bëri fjalë për 100 viktima. Duzina viktimash u dogjën si pasojë e sulmit, u tha. Të dhënat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.Izraeli: U goditën terroristë
Kurse ushtria e Izraelit bëri të ditur, se mëngjesin e së shtunës ka goditur një qendër komandoje të Hamasit islamist në territorin e shkollës në qytetin e Gazës në veri të Rripit të Gazës dhe se aty janë sulmuar terroristët. Qendra e komandos së Hamasit gjendej në një shkollë në krah të një xhamije, u tha.
Ushtria izraelite nuk ofroi të dhëna për viktimat në njoftimin e saj. Para sulmit, thuhej aty, janë marrë një "sërë masash" për të zvogëluar rrezikun për civilët. Sipas ushtrisë në këtë goditje është përdorur muncion me precizion. Në njoftim thuhej, se Hamasi e ka përdorur këtë ndërtesë si qendër për terroristët dhe komandantët. Nga aty janë planifikuar goditje kundër trupave izraelite dhe shtetit të Izraelit. Ushtria e Izraelit kujtoi në njoftimin e saj, se Hamasi rregullisht shkel të drejtën ndërkombëtare, duke përdorur hapësirat civile dhe civilët për aktivitete terroriste. Hamasi konsiderohet si organizatë terroristë nga SHBA, BE, Gjermania e vende të tjera. Xhihadi Islamik: "Masakër e tmerrshme"
Organizata terroriste palestineze, "Xhihadi Islamik" reagoi menjëherë. "Zgjedhja e faljes së sabahut si kohë për këtë masakër të tmerrshme konfirmon, se armiku kishte qëllimin të vriste sa më shumë civilë, mes tyre fëmijë dhe pleq", thuhej në njoftimin e Shtetit Islamik.
Lufta mes Hamasit dhe Izraelit shpërtheu pas sulmit terrorist të Hamasit dhe grupeve të tjera militante kundër Izraelit më 7 tetor. Sipas të dhënave të Izraelit aty humbën jetën rreth 1200 vetë. Krahas kësaj u morën rreth 250 vetë si pengje në Gaza. Si reagim Izraeli u kundërpërgjigj me një operacion të zgjeruar ushtarak kundër Rripit zë Gazës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi në luftime deri tani janë vrarë 39.700 palestinezë./DW