Pentagoni: Situata në Lindjen e Mesme shumë serioze, SHBA e gatshme për një sulm të mundshëm iranian
Pentagoni: Situata në Lindjen e Mesme shumë serioze, SHBA e gatshme për një sulm të mundshëm iranian
"Situata në Lindjen e Mesme është shumë serioze tani", tha Ryder, duke shtuar se kjo është arsyeja pse sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin "urdhëroi" që armët dhe municionet shtesë të mbrojtjes të dërgoheshin në rajon
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) ka theksuar se situata në Lindjen e Mesme është "shumë serioze" dhe se bashkë me këtë SHBA-ja është "e gatshme" për një sulm të mundshëm iranian, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përditshme për shtyp.
"Situata në Lindjen e Mesme është shumë serioze tani", tha Ryder, duke shtuar se kjo është arsyeja pse sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin "urdhëroi" që armët dhe municionet shtesë të mbrojtjes të dërgoheshin në rajon.
I pyetur nëse është e mundur apo jo që Irani të hakmerret kundër Izraelit këtë javë, Ryder dha përgjigjen "Absolutisht e mundur".
"Unë nuk do të përpiqem të parashikoj apo spekuloj se kur ata do të godasin, përveçse të them se duhet ta marrim seriozisht (sulmin e mundshëm) dhe ne po e bëjmë këtë. Kështu që ne do të jemi të përgatitur dhe jemi të gatshëm", tha zëdhënësi i Pentagonit.
Ryder përsëriti se SHBA-ja dëshiron të qetësojnë situatën, të ruajnë forcat e tyre dhe të mbështesin mbrojtjen e Izraelit.
- "Gjithmonë ka kohë që diplomacia të funksionojë"
Zëdhënësi i Pentagonit deklaroi se askush në rajon nuk dëshiron të shohë përshkallëzimin e tensionit dhe nuk dëshiron që situata aktuale të kthehet në një konflikt rajonal.
"Gjithmonë ka kohë që diplomacia të funksionojë. Pra, shpresoj se ne nuk do të gjejmë veten në një situatë ku do të na duhet t'i përdorim këto aftësi. Por nëse na duhet t'i përdorim ato në mbrojtjen e Izraelit, ne do ta bëjmë", deklaroi Ryder.
"Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë këtu është të pengojmë një konflikt më të gjerë rajonal, të parandalojmë një luftë rajonale në një Lindje të Mesme shumë të tensionuar, ku Irani po kërcënon të hakmerret dhe të përdorë potencialisht një forcë dërrmuese dhe ne, përsëri kemi qenë shumë të qartë në angazhimin tonë për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit", u shpreh Ryder.
Shefi i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra më 31 korrik në Teheran, kryeqyteti i Iranit.
Irani dhe Hamasi theksuan se Izraeli qëndronte pas sulmit dhe Teherani deklaroi se do t'i përgjigjej administratës së Tel Avivit.
Pentagoni në fillim të këtij muaji njoftoi se SHBA-ja do të vendosë mjete shtesë ushtarake në Lindjen e Mesme për të parandaluar që Irani të kryejë ndonjë kundërpërgjigje të mundshme ndaj Izraelit./AA