Lukashenko fton Rusinë dhe Ukrainën në negociata për t’i dhënë fund luftës
Rusia dhe Ukraina duhet të negociojnë një fund të konfliktit për të shmangur përhapjen e luftës në Bjellorusi, tha presidenti Alexander Lukashenko në një intervistë për televizionin shtetëror rus.Lukashenko tha në një intervistë se vetëm “njerëz të rangut të lartë me origjinë amerikane” duan që lufta midis Ukrainës dhe Rusisë të vazhdojë.Perëndimi po inkurajon Kievin të luftojë sepse dëshiron që Ukraina dhe Rusia të “shkatërrojnë njëra-tjetrën”, sipas pjesëve të intervistës së Lukashenkos, të publikuara sot në faqen e internetit të presidentit bjellorus.
Lukashenko përmendi se Kievi mund të ketë plane për të sulmuar Bjellorusinë, duke paralajmëruar se Minsku nuk do të lejojë që trupat ukrainase të “shkelin vendin tonë”, raporton Reuters.
“Ne nuk duam një përshkallëzim dhe nuk duam një luftë kundër të gjithë NATO-s. Ne nuk e duam këtë”, tha ai.
Nëse Ukraina “provokon” Minskun, Lukashenko paralajmëroi se “nuk do të ketë zgjidhje”, por në të njëjtën kohë u bëri thirrje palëve ndërluftuese të negociojnë.
“Le të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe t’i japim fund kësaj grindjeje. As populli ukrainas, as rusët dhe as bjellorusët nuk kanë nevojë për këtë. Ata (Perëndimit) kanë nevojë për këtë”, përfundoi ai.
Lukashenko ngriti pretendime se Perëndimi shpreson se situata në Kursk, të cilën trupat ukrainase e pushtuan, do të inkurajojë mobilizimin në Bjellorusi dhe Rusi dhe “të shkundë shoqërinë nga brenda”./EN