Autoritetet franceze në Kaledoninë e Re zgjasin shtetrrethimin deri më 26 gusht
Autoritetet franceze në Kaledoninë e Re kanë zgjatur shtetrrethimin deri më 26 gusht, pasi numri i të vdekurve nga trazirat e fundit u rrit në 11, transmeton Anadolu.Komisariati i Lartë i Kaledonisë së Re në një deklaratë tha se ka lehtësuar kufizimet në shitjen e alkoolit, duke lejuar blerjet me vete nën kufizime të rrepta nga 19 gushti deri më 8 shtator.Megjithatë, dërgesat e alkoolit mbeten të ndaluara dhe shtetrrethimi nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit mbetet në fuqi deri më 26 gusht.Kufizimet për armët e zjarrit dhe transporti i karburantit në kontejnerë portativ janë zgjatur gjithashtu deri më 26 gusht, me përjashtim për shërbimet komunale dhe disa profesionistë.
Komisariati i Lartë gjithashtu tha se ka pasur gjithsej 2.459 arrestime në të gjithë territorin deri më sot, me 1.331 të ndodhura në juridiksionet e policisë dhe 1.128 në zonat e xhandarmërisë.
Më tej, në deklaratë dënohet një përpjekje për zjarrvënie në një kishë në Poindimie dhe sulmet ndaj shoferëve në Poya.
Arkipelagu i Paqësorit është përfshirë nga trazira që nga mesi i muajit maj, të shkaktuar nga një projektligj i propozuar për rishikimin e rregullave zgjedhore.
Ndryshimet ligjore synonin të lejojnë shtetasit francezë që kanë jetuar në ishull për të paktën 10 vjet të votojnë në zgjedhjet lokale.
Por banorët vendas, veçanërisht popullsia indigjene e Kanakëve, kishin frikë se ndryshimet do të pakësonin fuqinë e tyre të votimit.
Në përgjigje të dhunës në rritje, Franca shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosi forca shtesë për të ndihmuar autoritetet lokale në rivendosjen e rendit.
Më 12 qershor, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pezulloi planin e diskutueshëm të reformës zgjedhore./AA