Irani:"Përgjigja jonë ndaj Izraelit mund të jetë edhe nga toka"
Misioni i Përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara (OKB) deklaroi se përgjigja e Teheranit ndaj Izraelit në lidhje me vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, mund të jetë edhe nga toka, por sipas Iranit, do të jetë e papritur dhe do ta bëjë Izraelin të pendohet, transmeton Anadolu.Sipas Agjencisë Studentore Iraniane të Lajmeve (ISNA), Misioni i Përhershëm i Iranit në OKB i është përgjigjur pyetjes "A e ka shtyrë qëllimisht Irani përgjigjen ndaj Izraelit derisa të bëhet i qartë rezultati i bisedimeve të armëpushimit në Gaza?".
"Përgjigja e Iranit duhet të ketë dy rezultate të dukshme. Së pari, ai duhet të ndëshkojë agresorin për ‘terrorizëm‘ dhe ‘shkelje të sovranitetit kombëtar të Iranit‘. Së dyti, duhet të forcojë fuqinë parandaluese të Iranit dhe ta bëjë Izraelin të pendohet për të parandaluar çdo sulm në të ardhmen" thuhet në deklaratën e bërë nga Misioni i Përhershëm i Iranit.
Reagimi i Iranit përfshinte edhe shmangien nga ndikimi negativ ndaj një armëpushimi të mundshëm, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se "Përgjigja e Iranit ndoshta do të jetë në kohën dhe në kushtet që Izraeli do t'i konsideronte më pak të mundshme. Ndoshta në një kohë kur ata injorojnë sulmin në tokë dhe sytë e tyre janë në qiell dhe në ekranin e radarit, ose sulm i përbërë nga të dyja".
Zëvendës komandanti i Gardës Revolucionare iraniane, Ali Fadavi, tha në deklaratën e tij të djeshme se "Do ta përcaktojmë ne se kur dhe si do të merret hakmarrja e dëshmorit Haniyeh dhe kjo do të ndodhë patjetër".
Ndërsa edhe zëdhënësi i Ushtrisë së Gardës Revolucionare Alimohammad Naini ka shprehur "Koha është në favorin tonë. Armiku le të presë kohën kur do të goditet"./AA