Barack dhe Michelle Obama, mbështesin kandidaten Harris dhe sulmojnë ish presidentin Trump duke e akuzuar për racizëm
Ish-Presidenti Barack Obama dhe Michelle Obama u bënë thirrje amerikanëve të martën të mbështesin Nënpresidenten Kamala Harris, në fjalimet e tyre para Kuvendit Kombëtar Demokrat, që përmbanin mesazhe por edhe paralajmërime për një luftë të vështirë politike përpara. “Amerikë, shpresa po rikthehet”, deklaroi ish-Zonja e Parë. Më pas, ajo sulmoi ashpër republikanin Donald Trump, një ndryshim i thellë nga fjalimi i Kuvendit të vitit 2016, ku ajo u shpreh: "Kur ata tregohen të ulët, ne qëndrojmë lart".“Botëkuptimi i tij i kufizuar dhe i ngushtë për botën, e bëri atë të ndihej i kërcënuar nga ekzistenca e dy njerëzve punëtorë, me arsim të lartë dhe të suksesshëm, por që gjithashtu ishin afrikano-amerikanë”, tha Michelle Obama.
Barack Obama, presidenti i parë me ngjyrë në historinë e Shteteve të Bashkuara, tha se vendi është gati ta zgjedhë zonjën Harris, e cila është me origjinë xhamajkiane dhe indiane dhe nëse zgjidhet, do të jetë presidentja e parë grua e vendit.
“Amerika është gati për një kapitull të ri. Amerika është gati për një histori më frymëzuese. Ne jemi gati për një Presidente Kamala Harris”, tha zoti Obama.
Ai vuri në pah kontrastin mes Nënpresidentes Harris dhe rivalit të saj republikan, ish-Presidentit Donald Trump.
“Kamala Harris nuk do të mendojë vetëm për veten e saj. Ajo do të përqendrohet tek ju. Si presidente, ajo nuk do të kujdeset vetëm për mbështetësit e saj dhe të ndëshkojë ata që nuk janë dakord me të. Ajo do të punojë në emër të çdo amerikani – kjo është Kamala.”
Ai gjithashtu e quajti ish-Presidentin Trump "një miliarder 78-vjeçar, i cili vetëm është ankuar për problemet e tij”.
“Ka qenë një lumë i pandërprerë grindjesh dhe ankesash që është përkeqësuar tani që frikësohet se do të humbasë përballë Kamalës,” tha ai.
Mesazhet e apasionuara nga dy prej yjeve më të mëdhenj të Partisë Demokrate nënvizuan urgjencën e momentit, ndërsa zonja Harris përpiqet të sigurojë sa më shumë mbështetje në përpjekjen për të fituar ndaj zotit Trump këtë vjeshtë.
Dhe ndërsa tema e mbrëmjes ishte "një vizion i guximshëm për të ardhmen e Amerikës", fraksionet e ndryshme të koalicionit që po mbledh pas vetes kandidatja Harris, demonstruan mbi të gjitha se i lidh një dëshirë e thellë për të parandaluar një presidencë të dytë të zotit Trump.
Mes folësve ishte edhe ish-sekretarja e shtypit e ish-Presidentit republikan, Stephanie Grisham e cila është kthyer në një kritike të ashpër të ish-shefit të saj. Trump “nuk ka ndjeshmëri, nuk ka moral dhe nuk ka besnikëri ndaj së vërtetës”, tha zonja Grisham.
“Unë e dua vendin tim më shumë se partinë time. Kamala Harris thotë të vërtetën. Ajo e respekton popullin amerikan. Dhe ajo ka votën time”, tha ajo.
“Trump bëri premtime të mëdha: për rritje ekonomike të pakufizuar, për një rilindje të prodhimit amerikan, një kufi të sigurt. Por rezultoi që i kishte vetëm fjalë”, tha John Giles, një tjetër republikan, kryebashkiak i qytetit Mesa të Arizonës.
Senatori Chuck Schumer, udhëheqësi demokrat i Senatit si edhe Bernie Sanders, senator i Vermontit, një figurë e dashur për krahun progresist të partisë, ngritën lart Nënpresidenten Harris.
Senatori Sanders, që e përshkruan veten si social-demokrat tha se pret me padurim të punojë me zonjën Harris në Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se objektivat e tyre politike "nuk janë një axhendë radikale".
Ndërsa demokratët vazhdonin Kuvendin në Çikago, zonja Harris mori pjesë në një tubim në shtetin vendimtar të Viskonsinit, ku republikanët mbajtën kuvendin e tyre muajin e kaluar.
Ajo tha se fushata e saj është e frymëzuar nga njerëzit.
"Së bashku ne do të hapim një shteg të ri përpara, një të ardhme me liri, mundësi, optimizëm dhe besim”, tha Nënpresidentja Harris.
Pati momente gjatë mbrëmjes që dolën jashtë fjalimeve politike. Apeli simbolik i delegatëve nga secili shtet që deklaronin votat për kandidaten demokrate u kthye në një atmosferë feste, ndërsa një DJ luante këngë të veçanta që kishin lidhje me secilin nga shtetet.
Dhe folës të ndryshëm folën për anën personale të zonjës Harris.
z.Emhoff i cili e quajti gruan e tij një luftëtare optimiste.
Nga ana e tij zoti Trump po bënte fushatë në Miçigan, një shtet me rëndësi vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve dhe e sulmoi Nënpresidenten Harris, një ish-Prokurore të Përgjithshme të Kalifornisë, duke thënë se nëse fiton ajo do “të sjellë krim, kaos, shkatërrim dhe vdekje”.
“Do të shihni nivele krimi që nuk i keni parë kurrë më parë. ... Unë do të vendos ligjin, rendin, sigurinë dhe paqen.”
Gjatë gjithë Kuvendit, demokratët janë përpjekur të përcjellin një mesazh uniteti përkrah përqafimit të një Amerike të larmishme.
Zoti Obama e cilësoi qasjen e demokratëve si "një rrugë të re përpara" për një shoqëri moderne në kontrast me vizionin "përçarës", "të vjetëruar" dhe "të lodhur" të ofruar nga ish-Presidenti Trump.
Edhe Michelle Obama foli direkt për garën dhe sulmoi zotin Trump
"Është loja e tij e vjetër: Këmbëngulja në gënjeshtra të shëmtuara, seksiste, raciste në vend të ideve konkrete dhe zgjidhjeve që do të përmirësonin jetën e njerëzve", tha ajo.
Barack Obama u kthye në skenën e Kuvendit, 20 vjet pasi hyri në skenën kombëtare politike me një fjalim që të tërhoqi vëmendjen në vitin 2004 në Boston. Më pas ai kandidoi dhe fitoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.
Në fjalimin e së martës, ai vlerësoi Presidentin Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara muajin e kaluar dhe mbështeti zonjën Harris.
"Historia do ta mbajë mend Joe Bidenin si një president që mbrojti demokracinë në një moment rreziku të madh," tha zoti Obama mes brohoritjeve të delegatëve: "Faleminderit, Joe".
“Jam krenar që ai është presidenti im, por edhe më krenar që është miku im.”
Të mërkurën, do t’u drejtohet delegatëve në Çikago Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i cili do të pranojë zyrtarisht emërimin e partisë si kandidat për nënpresident. Po ashtu një nga folësit kryesorë të ditës së tretë të Kuvendit do të jetë ish-Presidenti Bill Clinton./VOA