Lidhje


Guterres paralajmëron komunitetin ndërkombëtar për rritjen e nivelit të detit

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, duke tërhequr vëmendjen se vendet ishullore të Paqësorit përballen me rreziqet që sjell rritja e nivelit të ujit në dete, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të largohet plotësisht nga lëndët djegëse fosile që përshpejtojnë rritjen e nivelit të ujit, transmeton Anadolu.Guterres mbajti një fjalim në Forumin e 53-të të Ishujve të Paqësorit me temën "Një Paqësor transformues dhe rezistent: Rindërtimi më i mirë", që po mbahet në Mbretërin e Tongës, ku informoi rreth efekteve të rritjes së nivelit të ujit të oqeanit dhe detit.

 

Sipas tij, rritja e nivelit të ujit në oqeane për shkak të ndryshimeve klimatike përbën kërcënim serioz për vendet ishullore të Paqësorit, ndërsa vuri në dukje se emetimet e karbonit të lëshuara në mjedis përmes përdorimit të lëndëve djegëse fosile përshpejtuan rritjen e nivelit të ujit.

 

"Niveli në rritje i detit është një krizë tërësisht e krijuar nga njerëzimi", tha Guterres.

 

- "Vendet ishullore të Paqësorit janë në rrezik serioz"

 

Në raportin e OKB-së thuhet se niveli i detit në Nuku'alofa, kryeqyteti i Tongës, u rrit me 21 centimetra midis viteve 1990 dhe 2020, afërsisht dyfishi i mesatares globale. Në raport theksohet se niveli i detit u rrit me 31 centimetra në qytetin Apia të Samoa-s, dhe me 29 centimetra në qytetin Suva-B të Fixhit.

 

Duke theksuar se afërsisht 90 për qind e njerëzve në rajon jetojnë në afërsi prej brenda 5 kilometrave nga oqeanet me nivele në rritje të ujit, Guterres tha: "Kjo situatë i vë në rrezik serioz vendet ishullore të Paqësorit".

 

Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), Celeste Saulo tha se "Oqeanet po kthehen nga një mik i përjetshëm në një kërcënim në rritje për shkak të rritjes së nivelit të ujit".

 

- Thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtar

 

Kreu i OKB-së tha se kompanitë e mëdha ndotëse janë drejtpërdrejt përgjegjëse për reduktimin e emetimeve të karbonit.

 

Ai shtoi se për të luftuar kundër ndryshimeve klimatike dhe ndotjen e mjedisit të shkaktuar nga konsumi i karburanteve fosile, karburantet e tilla duhet të shmangen plotësisht. Guterres i bëri thirrje komunitetit global që të heqë karburantet fosile nga përdorimi.

 

Guterres tha se kompanitë e mëdha dhe vendet e zhvilluara duhet të përmbushin marrëveshjet e lidhura me klimën dhe të rrisin shumë financimin për vendet e prekura nga ndryshimet klimatike.

 

- Forumi i 53-të i Ishujve të Paqësorit

 

Forumi i 53-të i Ishujve të Paqësorit, i mbajtur në Tonga, një vend ishullor në Oqeanin Paqësor, filloi pardje.

 

Në forum marrin pjesë përfaqësues nga Australia, Ishujt Cook, Mikronezia, Fixhi, Polinezia Franceze, Kiribati, Nauru, Kaledonia e Re, Zelanda e Re, Niue, Palau, Papua Guinea e Re, Ishujt Marshall, Samoa, Ishujt Solomon, Tonga, Tuvalu dhe Vanuatu.

 

Forumi, i kryesuar nga kryeministri i Tongës, Siaosi Sovaleni, pritet të zgjasë deri më 30 gusht./AA

XS
SM
MD
LG