Scholz: Gjermania do të parandalojë migrimin e parregullt pa e pezulluar të drejtën e azilit
Kancelari gjerman Olaf Scholz premtoi masa të reja për të parandaluar migrimin e parregullt, por përjashtoi pezullimin e të drejtave të azilit, mes thirrjeve nga partitë opozitare për një rishikim drastik të politikës së migracionit, transmeton Anadolu."E drejta individuale për azil do të mbetet në fuqi. Kjo është në Kushtetutën tonë dhe askush nuk mund të marrë mbështetjen time për ta sfiduar këtë", tha Scholz mbrëmë pasi opozita e udhëhequr nga Kristiandemokratët (CDU) propozoi "de facto" ngrirje të pranimit të refugjatëve.
Scholz njoftoi se policia do të kryejë më shumë kontrolle në kufijtë tokësorë dhe do të vendosë masa më të rrepta për të dëbuar shkelësit e dhunshëm, por hodhi poshtë thirrjen e opozitës për refuzimin e plotë të të gjithë azilkërkuesve që vijnë nga Siria dhe Afganistani.
"Dëshiroj ta them qartë këtë: Ne nuk do të shkelim traktatet ndërkombëtare të nënshkruara nga Gjermania, ne do t'i përmbahemi ligjit të Bashkimit Evropian dhe sigurisht kushtetutës sonë", tha kancelari socialdemokrat për transmetuesin publik ZDF, duke shtuar se Masat kundër migrantëve të paligjshëm dhe shkelësve të dhunshëm nuk duhet të dëmtojnë refugjatët, të cilët vërtet kanë nevojë për mbrojtje në Gjermani.
- Qeveria nën presion
Koalicioni qeverisës i Scholz-it u vu nën presionin e partive opozitare pas sulmit me thikë të javës së kaluar në Solingen, në të cilin tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën nga një azilkërkues sirian i refuzuar.
Grupi terrorist DEASH mori përgjegjësinë për sulmin.
Autoritetet kanë thënë se i dyshuari erdhi në Gjermani në vitin 2022, por ai nuk kualifikohej për statusin e refugjatit në vend. Ai duhej të deportohej vitin e kaluar në Bullgari, vendi i parë i BE-së në të cilin ai hyri.
Kristiandemokratët kërkuan "vendime të shpejta" nga qeveria për një rishikim drastik të politikës së migracionit dhe kërkuan masa më të rrepta deportimi.
Kreu i CDU-së. Friedrich Merz, tha se Gjermania duhet të ndalojë pranimin e refugjatëve nga Siria dhe Afganistani dhe emigrantët kriminelë duhet të deportohen në vendet e tyre pa vonesë.
Alice Wedel, bashkëkryetarja e partisë së ekstremit të djathtë AfD, bëri thirrje për një moratorium mbi emigracionin për të paktën 5 vjet dhe argumentoi për dëbimin e të gjithë emigrantëve të parregullt që aktualisht nuk posedojnë leje qëndrimi të ligjshme.
"Grupet e njerëzve me shkallën më të lartë të krimit, kryesisht afganë, sirianë dhe irakianë, që qëndrojnë ilegalisht në Gjermani, duhet të deportohen", tha ajo./AA