Francë, pezullohet nga puna pedagogu që kritikoi sulmet e Izraelit në Gaza
Një pedagog me kontratë në Francë u pezullua nga detyra e tij pasi kritikoi Izraelin i cili vazhdon sulmet në Gaza dhe tërhoqi vëmendjen mbi viktimat civile në sulme, transmeton Anadolu.Pedagogu me kontratë në Universitetin e "Toulouse School of Economics" (TSE) në qytetin Toulouse të Francës, Benoit Huou iu nënshtrua një hetimi disiplinor për shkak të fjalëve të tij lidhur me Izraelin.Profesori Huou i cili jep mësim në lëndën e matematikës në TSE, u përball me reagimin e administratës së shkollës pasi në fjalimin e tij të mbajtur para mësimit më 3 shtator përdori shprehje që kritikojnë sulmet e Izraelit në Gaza.
Administrata e universitetit në deklaratën me shkrim pretendon se fjalët e Huou nuk kishin asnjë lidhje me mësimin dhe se është shkelur parimi që arsimi të jepet në mënyrë të paanshme. Për këtë arsye u njoftua se ndaj Huou do të zhvillohej një hetim disiplinor brendauniversitar.
Huou i cili u pezullua nga detyra, në fjalimin e tij më 3 shtator në sallën e leksioneve ku ishin të pranishëm rreth 200 studentë iu referua një artikulli të botuar në revistën kërkimore shkencore "Lancet". Huou, i cili ndau të dhënat në artikull me studentët e tij se vlerësohet se rreth 200 mijë palestinezë kanë humbur jetën për shkak të sulmeve izraelite që nga fundi i vitit 2023, deklaroi se ai dënon sulmet e "shkallës së paprecedentë".
Gjithashtu Huou reagoi ndaj mbështetjes së qeverisë franceze për Izraelin dhe bëri thirrje për bojkot ndaj Izraelit. Disa përdorues interneti u ankuan në administratën e shkollës ndaj pedagogut, pasi fjalimi i tij u përhap në llogaritë e rrjeteve sociale.
Ministrja franceze e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit, Sylvie Retailleau e cila mori pjesë në diskutim, fjalët e Huou që kritikojnë sulmet izraelite i trajtoi brenda kornizës së "antisemitizmit" dhe pretendoi se studentët duhet "të mbrohen nga të gjitha llojet e diskriminimit, përfshirë veçanërisht antisemitizmin".
Pezullimi i pedagogut Huou nga detyra e tij u prit me reagim nga përdoruesit e mediave sociale me arsyen se është në kundërshtim me lirinë e shprehjes akademike./AA