Qindra mijëra familje kanë mbetur në errësirë ose pa ujë, rrugët janë prerë në dysh dhe shërbimet hekurudhore janë ndërprerë. /vizionplus.tv
Një nga përmbytjet më shkatërruese që ka goditur Poloninë, Rumaninë dhe Republikën Çeke ka lënë qytete të tëra nën ujë, ndërsa numri i të vdekurve nga stuhia Boris rritet çdo ditë që kalon. Urat u shembën, qytete dhe fshatra të tëra u desh të evakuoheshin, ndërsa dëmet në automjete dhe shtëpi janë të pallogaritshme.
Banorët të cilët u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre, në disa raste me ndihmën e helikopterëve, ndërsa të tjerë gjetën strehë në çatitë e shtëpive apo makinat e tyre.Të paktën 17 persona kanë vdekur nga përmbytjet nga Rumania në Poloni ditët e fundit.
Shembja e një dige në qytetin e Nysa, Poloni, detyroi 40,000 njerëz të evakuoheshin të hënën.
Në Ostrava, Republika Çeke, një digë e shpërthyer në lumin Odra në bashkimin e tij me lumin Opava shkaktoi përmbytje në zonën industriale të qytetit, duke kërcënuar gjithashtu fabrikën kimike BorsodChem. Qindra njerëz u evakuuan nga zonat urbane.
Qeveria polake shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura dhe njoftoi se do të ndajë një miliard zloti për të ndihmuar viktimat.
Kryeministri polak Donald Tusk tha se kjo do të lehtësonte operacionet e evakuimit dhe do të përshpejtonte mbështetjen financiare për viktimat.
“Kam thirrur këtë mbledhje të qeverisë së pari për të miratuar sa më shpejt vendimin për vendosjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. I jam drejtuar ministrit të financave dhe për momentin kemi siguruar rezerva financiare për nevojat e zonave dhe njerëzve të prekur nga përmbytjet. Në këtë pikë ne kemi një miliard zloti”, tha Tusk.
Qindra mijëra familje kanë mbetur në errësirë ose pa ujë, rrugët janë prerë në dysh dhe shërbimet hekurudhore janë ndërprerë. /vizionplus.tv