SHBA-ja e "shtrin" përsëri dorën, ndihmë ushtarake prej 375 milionë dollarësh për Ukrainën
Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës bomba thërrmuese me rreze të mesme veprimi, një sërë raketash, artileri dhe automjete të blinduara si pjesë e një pakete ndihme ushtarake prej rreth 375 milionë dollarësh, thanë zyrtarët amerikanë të martën.
Të enjten, Presidenti Zelenskyy takohet me Presidentin Joe Biden dhe Nënpresidenten Kamala Harris në Uashington.
Ndihma përfshin bomba ajër-tokë, të cilat kanë municione thërrmuese dhe mund të lëshohen nga avionët luftarakë të Ukrainës, si dhe municione për sistemet raketore HIMARS, Javelin dhe sisteme të tjera anti-tank, pajisje ushtarake dhe ndihma të tjera, sipas zyrtarëve.
Zyrtarët amerikanë folën në kushte anonimiteti sepse ndihma ende nuk është njoftuar publikisht.
Duke përfshirë paketën e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 56.2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë kundër saj, në shkurt të vitit 2022./EN