Kryeministri irakian: Rendi global përballet me një provë të vështirë që kërcënon ekzistencën e tij
Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani tha se rendi global po përballet me një provë të vështirë që kërcënon ekzistencën e tij, transmeton Anadolu. Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) në New York, kryeministri Sudani deklaroi se shkeljet në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Palestinë, duhet të ndalen dhe se kjo është përgjegjësi e të gjitha palëve.
Duke thënë se KS-OKB-ja ka dështuar të vendosë sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, Sudani shtoi se komuniteti ndërkombëtar ose ndonjë prej anëtarëve të tij nuk i kanë përmbushur përgjegjësitë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.
"Sistemi global përballet me një provë të vështirë që kërcënon vetë ekzistencën e tij dhe e pengon atë të arrijë qëllimet për të cilat u themelua, përfshirë sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut", tha Sudani.
Ai theksoi se popullit palestinez i është hequr në mënyrë të turpshme e drejta për të jetuar me nder në shtetin e vet si popujt tjerë. "Në këtë proces kemi parë rritje të pamaturisë që e kthen ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit në bojë në letër", tha kryeministri irakian.
Duke iu referuar sulmeve të Izraelit ndaj Libanit, Sudani tha se Iraku i qëndron Libanit si shtet dhe si komb dhe se Izraeli me sulmet e tij të fundit po përpiqet ta shtyjë të gjithë rajonin në një luftë rajonale në shkallë të gjerë.
Sudani nënvizoi se Izraeli përdori Rezolutën 1701 të KS-OKB-së si justifikim për të sulmuar Libanin, duke mos zbatuar rezolutat e OKB-së./AA