Presidenti iranian: U premtua armëpushim në Gaza në rast se nuk i përgjigjeshim vrasjes së Haniyeh
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian tha se liderët e SHBA-së dhe të vendeve evropiane u kanë premtuar se në rast se nuk i kundërpërgjigjen vrasjes së kryetarit të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, do të shpallin armëpushim në Gaza, por se këtë nuk e kanë bërë, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror iranian, Pezeshkian mbrëmë ka folur në Këshillin e Ministrave."Krimet e regjimit sionist janë të papranueshme dhe nuk do të mbeten pa përgjigje", tha ai duke folur për agresivitetin e Izraeli në rajon dhe mbështetësit e tij perëndimorë.
"Pretendimet e liderëve të SHBA-së dhe vendeve evropiane, të cilët premtuan armëpushim në këmbim të mospërgjigjes së Iranit ndaj vrasjes së dëshmorit Haniyeh, ishin krejtësisht të rreme. Dhënia e një mundësie kriminelëve të tillë vetëm do t'i inkurajojë ata të kryejnë më shumë krime", theksoi Pezeshkian.
Përderisa deklaratat e presidentit iranian ndezën polemika në vend, një grup u mblodh para ndërtesës së Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit gjatë natës dhe kërkuan përgjigje nga autoritetet ndaj këtyre deklaratave.
Lideri i Hamasit, Haniyeh, u vra në Teheran më 31 korrik, ndërkohë ishte pretenduar se Teherani do të heqë dorë nga synimi për të sulmuar Izraelin në këmbim të një ndalimi të përhershëm të sulmeve izraelite në Gaza./AA