Lidhje


Kushti i Izraelit për armëpushim, "çarmatosja dhe tërheqja e Hezbollahut në veri të lumit Litani"

Ministri i Jashtëm izraelit, Yisrael Katz deklaroi se ata nuk do të pranojnë armëpushim në Liban nëse Hezbollahu nuk çarmatoset duke u tërhequr në veri të lumit Litani, transmeton Anadolu. Sipas lajmit të televizionit shtetëror izraelit KAN, Katz u dërgoi një letër ministrave të Jashtëm të 25 vendeve, përfshirë Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë dhe Kanadanë. "Izraeli nuk do të pranojë armëpushimin në Liban. E vetmja mënyrë që Izraeli të pranojë armëpushim është të zhvendosë Hezbollahun në veri të lumit Litani dhe ta çarmatosë atë", tha Katz në letrën e tij.

 

"Armëpushimi mund të arrihet vetëm përmes zbatimit të plotë të të gjitha rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në lidhje me Libanin", theksoi Katz.

 

"Për sa kohë që kjo nuk ndodh, Izraeli do të vazhdojë praktikat e tij për të garantuar sigurinë e qytetarëve të tij dhe kthimin e banorëve të veriut në territoret e tyre", shtoi ai.

 

Katz pretendon se vrasja e Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah në një sulm ajror izraelit "është një nga masat më të drejta dhe parandaluese të marra nga Tel Avivi".

 

- Në sulmet e intensifikuara të Izraelit në Liban humbën jetën 1.178 persona

 

Ushtria izraelite e cila që nga 8 tetori vazhdon konfliktin e kontrolluar me Hazbollahun, më 17-18 shpërtheu pajisjet "pager" të përdorur nga Hezbollahu, ndërsa më 23 shtator kreu qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.

 

Sipas autoriteteve libaneze, gjithsej 1.178 persona, përfshirë 104 fëmijë dhe 194 gra, janë vrarë që nga 17 shtatori kur shpërthyen pajisjet e komunikimit "pager" të përdorura nga Hezbollahu.

 

Lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah u vra në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Bejrut më 27 shtator.

 

Për shkak të bombardimeve izraelite brenda vendit janë zhvendosur qindra mijëra njerëz.

 

Teksa vala e migrimit vazhdon nga pjesët jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut, dhjetëra mijëra persona kanë migruar drejt Sirisë.

 

Ndërsa, Hezbollahu i përgjigjet me predha dhe raketa Izraelit. Në këto sulme, të cilat kryesisht kishin në shënjestër bazat e ushtrisë në anën izraelite, nuk janë raportuar dëme të mëdha./AA

XS
SM
MD
LG