Zgjerim i konfliktit?/Automjetet ushtarake izraelite lëvizin drejt kufirit libanez
Automjetet ushtarake izraelite kanë nisur të lëvizin drejt kufirit libanez në kuadër të sulmeve të paralajmëruara tokësore, transmeton Anadolu. Sipas informacioneve që korrespondenti i Anadolus ka marrë nga dëshmitarët okularë, janë dëgjuar zhurmat e automjeteve ushtarake duke lëvizur drejt qytezës Abel al-Kamh, përballë rajonit kufitar al-Vezzani në jug të Libanit, ku ushtria izraelite filloi bombardimet me artileri.
Më herët, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se faza e ardhshme e luftës kundër grupit libanez do të “fillojë së shpejti”, në vazhdën e raportimeve për një ofensivë tokësore. Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 960 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.770 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Disa liderë të Hezbollahut janë vrarë nga sulmet, duke përfshirë liderin e saj Hassan Nasrallah.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë afro 41.600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale./AA