Kërcënon Irani: Nëse Izraeli sulmon, do të hedhim në erë objektet e naftës në të gjithë Lindjen e Mesme!
Në një kohë kur Izraeli duket se po “shënjestron” si pjesë e “përgjigjes” së tij infrastrukturën prodhuese të energjisë të Iranit, qoftë në lidhje me platformat e naftës dhe gazit natyror apo edhe objektet e tij bërthamore, me synimin për ta gjunjëzuar vendin ekonomikisht, iranianët kërcënojnë se do t’i vënë flakën gjithë Lindjes së Mesme
Në veçanti, prej disa orësh Garda Revolucionare ka përdorur kanalet që ata kontrollojnë në Telegram për të lëshuar kërcënime që, nëse realizohen, do të nënkuptojnë “shembjen” e Lindjes së Mesme si një shtyllë energjie.
Konkretisht, këto burime pohojnë se nëse Izraeli vendos të sulmojë industrinë e naftës të Iranit, do të përgjigjet me goditje ndaj objekteve të naftës në Azerbajxhan, Oman, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Këto janë vende që janë të lidhura në një mënyrë ose në një tjetër me Izraelin dhe që kundërshtojnë “boshtin e rezistencës” iraniane.
Azerbajxhani, nga ana tjetër, mban marrëdhënie të ngushta me Izraelin dhe për shkak të programeve të tij të armëve, Arabia Saudite është rivali i madh i Iranit për dominim në botën arabe, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe janë shteti arab që iu afrua më shumë paqes me Izraelin në kornizën e Marrëveshjeve të Abrahamit që u nënshkruan në epokën e Donald Trump.
Ndërsa Omani gjithashtu refuzon të pranojë “udhëheqjen” e Iranit në rajon për shkak të veçorive fetare.
Të gjitha vendet prodhuese të naftës që në fakt janë ato që furnizojnë Europën me energji, pas “embargos” ndaj naftës ruse. Pasojat e një sulmi të tillë sigurisht që do të ishin të pallogaritshme si për ekonominë botërore, ashtu edhe për ekonomitë e Bashkimit Europian, pasi e ardhmja e tij energjetike bëhet më… e dyshimtë./TCH