Kina kundërshton shkeljen e sovranitetit të Libanit nga I`zraeli
Kina tha se kundërshton shkeljet e sovranitetit, sigurisë dhe integritetit territorial të Libanit si dhe hapat që nxisin "antagonizmin" dhe përshkallëzojnë tensionet. Pekini është "thellësisht i shqetësuar" për trazirat në Lindjen e Mesme, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, duke komentuar operacionet tokësore të ushtrisë izraelite në Libanin jugor, të cilat u pasuan nga sulmet raketore të Iranit kundër Izraelit.
"Kina i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve të mëdha me ndikim, të luajnë rol konstruktiv dhe të shmangin trazirat e mëtejshme", tha zëdhënësi në një deklaratë.Kina, thuhet më tej, beson se luftimet e zgjatura në Gaza janë shkaku kryesor i raundit të ri të trazirave në Lindjen e Mesme dhe të gjitha palët duhet të punojnë urgjentisht për një armëpushim "gjithëpërfshirës" dhe "të qëndrueshëm".
Që nga 23 shtatori, Izraeli ka kryer sulme masive ajrore kundër atyre që i quan objektiva të Hezbollahut në gjithë Libanin, duke vrarë më shumë se 1.000 njerëz dhe duke plagosur mbi 2.950 të tjerë, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë.
Disa liderë të Hezbollahut janë vrarë nga sulmet, përfshirë liderin e saj Hassan Nasrallah.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë mbi 41.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.-trtbaallkans