Emiratet e Bashkuara Arabe do të japin 30 milionë dollarë ndihmë për libanezët që emigruan në Siri
Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) njoftuan se do të ofrojnë ndihma humanitare me vlerë 30 milionë dollarë për libanezët që ikën nga sulmet izraelite dhe migruan në Siri, transmeton Anadolu. Në lajmin e agjencisë zyrtare të lajmeve të vendit, WAM, thuhet se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, ka urdhëruar ndihmë urgjente për civilët që kanë emigruar në Siri për shkak të sulmeve të Izraelit në Liban.
Thuhet se Bin Zayed urdhëroi ndihma urgjente në vlerë 30 milionë dollarë për libanezët që emigruan në Siri dhe se ky hap u ndërmor në kuadër të mbështetjes së Emirateve të Bashkuara Arabe për Libanin, i cili po kalon kohë të vështira.
Gjithashtu thuhet se përveç ndihmës në fjalë, Bin Zayed urdhëroi 6 avionë shtesë për të transportuar ndihma në Liban.
Që nga 8 tetori 2023 kanë vazhduar përplasjet mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në vijën kufitare Liban-Izrael.
Ndërsa Hezbollahu synon pozicionet ushtarake në veri të Izraelit me raketa dhe mjete ajrore pa pilot, ushtria izraelite po kryen sulme të rënda ajrore në jug të Libanit dhe rajonin Dahiye, në kryeqytetin Bejrut.
Ndërkohë që vala e migrimit nga pjesët jugore të Libanit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut vazhdon, thuhet se dhjetëra mijëra njerëz kanë emigruar në Siri./AA