Shishja e parfumit që i mori jetën një gruaje përmbante helm sa për të vrarë mijëra njerëz
Tuesday, 15 October 2024 23:19
Një shishe parfumi, e mbushur me agjentin vdekjeprurës nervor 'Novichok', i mori jetën një gruaje në Britani dhe për pak sa nuk shkaktoi një masakër. Dawn Sturgess, një 44-vjeçare nga Amesbury, përdori parfumin “Premier Jour” të Nina Ricci, të cilin e kishte gjetur të hedhur. Ajo e spërkati në kyçet e dorës, por nuk e dinte se shishja përmbante helm kimik, mjaftueshëm për të vrarë mijëra njerëz. Vetëm disa orë më vonë, ajo dhe partneri i saj u sëmurën rëndë. Fatkeqësisht, Sturgess humbi jetën nga helmi, ndërsa partneri i saj mbijetoi. Ky incident tronditi jo vetëm komunitetin lokal, por mbarë Britaninë, duke ngjallur frikë për një kërcënim të fshehtë kimik në mes të një qyteti të zakonshëm.
Hetuesit zbuluan se shishja e parfumeve ishte e lidhur me helmimin famëkeq të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Salisbury, një sulm që dyshohet se është orkestruar nga agjentët rusë. Skripal kishte shpëtuar pas një sulmi të ngjashëm, por për Sturgess-in tragjedia ishte fatale.
Çfarë është më e frikshme? Sasia e Novichok në shishen e gjetur nga Sturgess ishte aq e madhe sa mund të vriste mijëra njerëz, duke e bërë atë një bombë kimike sekrete. Tashmë, shumë pyetje mbi sigurinë kombëtare janë ngritur: A mund të ishte parandaluar ky sulm kimik në tokën britanike?
Avokati i familjes Sturgess, Michael Mansfield, akuzon autoritetet britanike për dështim në mbrojtjen e qytetarëve dhe kërkon përgjigje nëse ky sulm, që për pak nuk shkaktoi vdekjen e qindra ose mijëra të tjerëve, mund të ishte shmangur. Ai theksoi: "Publiku meriton të dijë nëse është bërë mjaftueshëm për të parandaluar një sulm me armë kimike që vuri në rrezik jetët e mijëra njerëzve."
Ndërkohë, rusët kanë mohuar çdo përfshirje në këtë sulm, megjithëse ekspertët dyshojnë se ky operacion është organizuar direkt nga Kremlini, me lejen e Vladimir Putin.
Kjo tragjedi ngre shumë pikëpyetje për sigurinë e qytetarëve dhe për rreziqet e armëve kimike që mund të jenë shumë afër nesh, pa e ditur./JOQ