Qeveritë e rajonit dënojnë ashpër sulmin t"errorist në Turqi
Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hecergovina kanë reaguar ndaj sulmit terrorist të ditës së mërkurë në kryeqytetin turk Ankara, duke dënuar ashpër terrorizmin dhe duke shprehur ngushëllimet për viktimat.
Shqipëria dënon sulmin terrorist në Ankara
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij për ngjarjen e hidhur që ka ndodhur pasditen e të mëkurës në Ankara. Rama tha se Shqipëria qëndron me Türkiyen si dy kombe vëllezër dhe aleate të NATO-s.
Jemi thellësisht të pikëlluar nga raportimet për të vdekur dhe të plagosur në Ankara, deklaroi kryeministri Rama.
Ai tha se Shqipëria e dënon ashpër terrorizmin në të gjitha format e tij dhe se mbetemi plotësisht të bindur se Republika Turke do të dalë më e fortë nga një sulm kaq frikacak ndaj qytetarëve të saj të pafajshëm.
Presidentja Osmani dënon sulmin terrorist në Ankara
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar sulmin terrorist që ndodhi në Ankara.
“Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjet dhe të dashurit e viktimave. Terrorizmi dhe dhuna nuk kanë vend në botën tonë”, shkroi Osmani.
Presidentja Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se Kosova qëndron me aleatin e saj, Türkiyen, “pas sulmit të sotëm terrorist në Ankara”.
Maqedonia e Veriut dënon sulmin terrorist në Ankara
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, tha se qëndron në solidaritet me popullin e Türkiyes.
“Ngushëllimet e mia të përzemërta për familjet dhe të dashurit e viktimave. Kjo dhunë e pakuptimtë nuk do të triumfojë kurrë mbi paqen”, është shprehur presidentja.
Në fund, ajo po ashtu ka shkruar mesazh të shkurtër në gjuhën turke për presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, me fjalët "Güçlü kal (Qëndro i fortë), RTErdoğan".
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka deklaruar në X:
“E dënoj fuqishëm këtë akt terrori. Në këto kohë të vështira, ne qëndrojmë të bashkuar me qytetarët e Türkiyes dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për paqen dhe sigurinë.”
Bosnjë-Hercegovina dënon ashpër sulmin terrorist në Ankara
Bosnja dhe Hercegovina qëndron me Türkiyen në luftën kundër terrorizmit dhe në mbështetje të paqes dhe sigurisë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës e Hercegovinës.
"Ne dënojmë fuqishëm sulmin e sotëm terrorist në Turkiye, i cili mori katër jetë të pafajshme. Lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe të gjithë ata që u prekën nga ky akt i tmerrshëm", tha Ministria e Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës.
Një sulm terrorist është kryer në selinë e Industrive Hapësinore Ajrore Turke (TAI) në kryeqytetin turk Ankara. Raportet thonë se ka pasur një shpërthim të fortë ndërsa pamjet televizive të mëvonshme treguan një shkëmbim zjarri.
“Për fat të keq, numri i dëshmorëve ka arritur në 5, me gjithsej 22 të plagosur”, u tha gazetarëve të mërkurën vonë ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya.