Zemërim dhe indinjatë në Spanjë/Pamje apokaliptike nga përmbytjet, shkon rreth 150 numri i viktimave
Rëndohet bilanci i viktimave si pasojë e përmbytjeve katastrofike që kanë përfshirë Spanjën lindore dhe jugore. Autoritetet raportojnë për mbi 150 të vdekur, bilanc i cili pritet të rëndohet me kalimin e orëve.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar pasoja katastrofike duke shkatërruar banesa dhe rrugë. Shiu i rrëmbyeshëm dhe stuhitë e breshërit kanë shkaktuar përmbytjen fatkeqësinë më të madhe natyrore që ka goditur vendin në dekadat e fundit.
Shërbimet e urgjencës në rajonin lindor të Valencias konfirmuan një numër të vdekjeve prej 70 personash. Shumë prej banorëve janë shprehur se u është dukur sikur u prekën nga një tsunami.
Përrenjtë me baltë përmbysën me shpejtësi të madhe automjetet në rrugë, ndërsa mbeturinat dhe sendet shtëpiake rrotulloheshin në ujë. Policia dhe shërbimet e shpëtimit përdorën helikopterët për të evakuuar njerëzit nga shtëpitë e tyre dhe gomone për të arritur tek shoferët e bllokuar mbi makinat.
Qeveria qendrore ka ngritur një komitet krizash dhe më shumë se 1600 ushtarë nga njësitë e reagimit ndaj emergjencave të Spanjës janë shpërndarë në zonat e shkatërruara.
Kryeministri i vendit, Pedro Sanchez, ka shpallur tri ditë zie, ndërsa kushtet e këqija të motit do të vijojnë të godasin vendin. Bashkimi Europian dhe shumë shtete janë gati të dërgojnë ndihmat e tyre.
Sipas ekspertëve, të gjitha këto ngjarje ekstreme janë pasojë e ngrohjes globale dhe do të bëhen edhe më të shpeshta.
Zemërimi drejtohet kundër pushtetit lokal të Valencias. Kjo pasi pushteti vendor ka autoritetin, por edhe përgjegjësinë përfundimtare për të koordinuar shërbimet e urgjencës në zonat e prekura. Megjithatë, në vend që ta bënte këtë, ai dërgoi një mesazh përmes sistemit 112 të Spanjës në orën 20:12, tetë orë pas fillimit të përmbytjeve dhe 10 orë pasi agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës, AEMET, lëshoi një paralajmërim “rrezik ekstrem”.
“Përmasat e tragjedisë ngre dyshime nëse popullsia ishte paralajmëruar shumë vonë: Mbrojtja Civile dërgoi alarme kur tashmë kishte qytete të përmbytura”, ishte një titull në faqen e internetit të gazetës El Mundo. Siç vazhdon gazeta, “qindra njerëz u bllokuan gjatë natës nga e marta në të mërkurë në zonat industriale dhe në rrugë, sepse rrugët ishin bllokuar tashmë dhe aksesi ishte ndërprerë”.
Jo se AEMET mbetet imun. Spanjollët në mediat sociale thonë se parashikuesit e nënvlerësuan fenomenin pasi nuk prisnin që ai të arrinte këtë masë dhe nuk e lanë publikun të kuptonte se ishin në rrezik ekstrem.
Në çdo rast, kur mbërriti mesazhi 112, shumë ishin të bllokuar në shtëpi, biznese dhe në rrugë, ndoshta shumë ishin tashmë të vdekur. Çështja ka shqetësuar edhe qeverinë qendrore me një zyrtar të Ministrisë së Tranzicionit Ekologjik që deklaruar se “në kohën kur autoritetet e Valencias vepruan, situata tashmë ishte përshkallëzuar ndjeshëm. Janë qeveritë rajonale në Spanjë ato që operojnë sistemet e paralajmërimit dhe kanë fuqinë për të dërguar sinjalizime në telefonat celularë të qytetarëve për të kufizuar lëvizshmërinë kur është e nevojshme… Pse kjo vonesë e konsiderueshme në dërgimin e mesazheve alarmuese në telefonat celularë, të cilat këshillojnë të mos udhëtoni ose të shkoni në vendet e punës, nuk e dimë?
Por kjo nuk ishte e gjitha. Viktimat që kishin mbijetuar dhe po ngrinin nga i ftohti në çatitë e shtëpive ku ishin ngjitur, nuk kishin asnjë mënyrë për të komunikuar me ekipet e shpëtimit – ose me njerëzit e tyre. Rrjetet e telefonisë fikse dhe celulare u ndërprenë shumë herët në mesditën e së martës dhe të gjitha thirrjet e urgjencës u drejtuan në 112, i cili gjithashtu u ndërpre disa orë më vonë. Kështu banorët që kishin nevojë për ndihmë e kuptuan shpejt se ishin vetëm. Ekipet e shpëtimit mungonin. Ekipet e shpëtimit nuk dinin se ku të shkonin dhe nuk kishin asnjë mënyrë për të shkuar në zonat e përmbytura. Në disa raste atyre iu desh të shpëtonin objektet e tyre nga përmbytja, ose të prisnin lajme për kolegët e tyre që u prekën nga përmbytjet.
El Pais shkruan se Mazon shpjegoi se përpjekjet e shpëtimit u penguan nga pamundësia absolute për të arritur tek ata në nevojë.
“Zjarrfikësit dhe policia lokale u rrethuan nga anëtarë të njësisë së emergjencës ushtarake (UME). Edhe forcat e sigurisë u përballën me sfida – kazerma e Gardës Civile në Paiporta e kaloi natën me ankth duke pritur lajmet për dy prej anëtarëve të saj të zhdukur”, tha ai.
Presidenti i qeverisë së Valencias, Carlos Mazon, është ai mbi të cilin janë drejtuar të gjithë gishtat e atyre që kërkojnë përgjegjësinë për fatkeqësinë vdekjeprurëse që futi në zi Spanjën. Konservatori Mazon akuzohet nga kundërshtarët e tij politikë, mediat dhe qytetarët në rrjetet sociale se “puna” e parë që bëri kur u zgjodh, vitin e kaluar, ishte shfuqizimi i UVE. Kjo është njësia e urgjencës së Valencias, e cila u krijua nga qeveria e mëparshme vendore për t’iu përgjigjur fatkeqësive klimatike si përmbytjet dhe zjarret. /vizionplus.tv