Ish-gjenerali izraelit: Ushtria izraelite shumë larg arritjes së fitores në Rripin e Gazës
Ish-gjeneralmajori izraelit në pension, Yitzhak Brik ka mbrojtur idenë se ushtria e tyre është shumë larg arritjes së fitores në Rripin e Gazës, se anëtarët e Hamasit janë ende në tunele dhe se kanë përgatitur ushqime të mjaftueshme për dy vjet, transmeton Anadolu.
Ish-gjeneralmajori Brik, i cili shërbeu si kryetar i Komitetit të Ankesave në ushtrinë izraelite, në një intervistë për gazetën "Maariv" tha se "ushtria izraelite gënjen për çështjen e shkatërrimit të tuneleve në Gaza".
"Shumica e tuneleve janë ende në duart e Hamasit dhe ushtria do të ketë vështirësi të kontrollojë Rripin e Gazës për një kohë të gjatë për shkak të rënies së fuqisë së saj", tha Brik i cili shtoi se "Ushtria izraelite është shumë larg arritjes së fitores në Rripin e Gazës".
Duke theksuar se retorika për prishjen e tuneleve në Gaza përbëhet nga "gënjeshtra", Brik theksoi se shefi i Shtabit të Izraelit, Herzi Halevi ka "të dështuar" dhe ka "humbur besimin e komandës së ushtrisë dhe duhet të largohet".
"Anëtarët e Hamasit vazhdojnë praninë e tyre brenda tuneleve, përkundër asaj që ushtria izraelite thotë se ka shkatërruar 50 për qind të tyre", tha Brik duke pretenduar se anëtarët e Hamasit kanë ruajtur mjaftueshëm ushqim për dy vjet.
"Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është i burgosur i ministrit të Sigurisë Kombëtare, që është lideri i Partisë së Fuqisë Hebreje, Itamar Ben-Gvir, si edhe i ministrit të Financave Bezalel Smotrich, udhëheqës i Partisë së Sionizmit Fetar", tha Brik.
Duke deklaruar se Izraeli është në proces kolapsi ekonomik dhe social dhe se ka probleme me komunitetin ndërkombëtar, Brik tha se "Problemi kryesor i Izraelit është rënia e dukshme e ushtrisë së tij në vitet e fundit, gjë e cila do të thotë se Izraeli nuk mund t'i mbajë këto toka për një kohë të gjatë"./AA