“Plagë lufte” ndaj futbollistit në Serbi/Masakrohet me 10 të qepura mbrojtësi i Barcelonës
Thursday, 07 November 2024 15:15
Mbrojtësi i Barcelonës, Pau Cubarsi, ka përjetuar një incident të rëndë gjatë fitores 5-2 të ekipit të tij kundër Yllit të Kuq të Beogradit në Ligën e Kampionëve të mërkurën. 17-vjeçari u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 67-të, pasi pësoi një plagë në fytyrë pas një goditjeje me taka nga mbrojtësi i Crvena Zvezdës, Uros Spajic, gjatë një goditjeje nga këndi.
Cubarsi, i cili ka debutuar me Barcelonën që në moshën 16-vjeçare, kishte nevojë për kujdes mjekësor të menjëhershëm në fushë për shkak të gjakderdhjes nga plaga e tij. Pas trajtimit të parë, ai u zëvendësua, por pas ndeshjes, trajneri i ekipit, Hansi Flick dha një njoftim për gjendjen e tij. “Pau kishte nevojë për qepje, por ai është mirë”.
Më vonë, klubi i Barcelonës ka shpërndarë një foto të Cubarsit të buzëqeshur, me mbishkrimin: “Plagë lufte”.
Mjekët i bënë 10 të qepura yllit katalanas për të mbyllur plagën e shkaktuar./JOQ