Skandali/ Shefit të policisë Madridit i gjenden 20 milionë euro në shtëpi
Rreth 20 milionë euro gjeti policia spanjolle në shtëpinë e kreut të Njësisë për Krimet Ekonomike dhe Fiskale të policisë së Madridit, Óscar Sánchez Gil. 8 milionë ishin fshehur në një mur dhe 12 miliqonë të tjerë në një fund të dyfishtë të tavanit në bodrum. “Shtëpia e tij ishte si ajo e Pablo Escobar”, – thonë zyrtarë të lartë të operacionit policor për mediat spanjolle.
Ata e krahasuan shtëpinë e zyrtarit të policisë me atë të kartelit historik kolumbian të drogës, si për sasinë e parave të fshehura në shtëpi, ashtu edhe për masat e sigurisë. Zyrtari i lartë i policisë u ndalua së bashku me bashkëshorten, po ashtu punonjëse policie dhe kunatën e tij si pjesë e një hetimi kundër trafikut të drogës.
Hetimi lidhej me shkarkimin e kokainës në portet spanjolle, e cila mbërrin në kontejnerë me fruta nga Ekuadori. Ai ndihmonte në shmangien e kontrolleve për të kaluar mallin dhe futjen e drogës në Spanjë.
Arrestimi i tij erdhi si rezultat i një operacioni të kryer javën e kaluar, ku agjentët kapën 13 tonë kokainë në portin e Algeciras. Kjo ishte sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në kufijtë e Spanjës. Mediat spanjolle shkruajnë se përfshirja e shefit të policisë në këtë rrjet të fuqishëm ndërkombëtar të drogës
është shumë e lartë.
Gruaja e tij nuk kishte asnjë lidhje me organizatën në fjalë, por arrestimi i saj erdhi për shkak dijenisë që kishte për punën që bënte partneri i saj. Shefi i policisë i arrestuar kishte punuar për grupet kriminale për “një kohë të gjatë”. Të paktën për 5 vjet, sipas hetimeve të para. Óscar Sánchez ishte një njeri diskret, i cili kaloi pa u vënë re dhe që ka shmangur gjithmonë shfaqjen para kamerave. Ai akuzohet tashmë për trafik droge, pastrim parash dhe korrupsion. /LAPSI.al