Biden heq kufizimet, Kievi mund të g"odasë Rusinë me r"aketa amerikane me rreze të gjatë veprimi
Administrata e Presidentit Joe Biden ka vendosur të lejojë Ukrainën të përdorë armët me rreze të gjatë veprimi, të furnizuara nga SHBA-ja, për të kryer sulme në territorin rus. Ky vendim përbën një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Uashingtonit për konfliktin Rusi-Ukrainë.
Mediat e huaja raportojnë se Ukraina planifikon të fillojë sulmet e para me rreze të gjatë në ditët në vijim, ndërsa detajet mbeten të fshehta për arsye sigurie.
Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje. Ky vendim vjen dy muaj para se Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar dhe pas kërkesave të vazhdueshme nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy për të lejuar sulme në objektiva ushtarake ruse larg kufirit.
Ky ndryshim pason vendosjen e trupave tokësore nga Koreja e Veriut për të mbështetur forcat ruse, një zhvillim që ka shqetësuar Uashingtonin dhe Kievin. Sulmet e para pritet të realizohen me raketa ATACMS, të cilat kanë një rreze deri në 306 km.
Ndërsa disa zyrtarë amerikanë mbeten skeptikë për efektin që mund të ketë një vendim i tillë në ecurinë e luftës, kjo mund ta ndihmojë Ukrainën të përmirësojë pozicionin e saj nëse ndodhin bisedime për armëpushim.
Nuk është e qartë nëse Trump do të ndryshojë vendimin e Biden-it kur të marrë detyrën, pasi ai ka kritikuar shpesh ndihmën ushtarake dhe financiare të SHBA-së ndaj Ukrainës dhe ka premtuar përfundimin e shpejtë të luftës, pa dhënë detaje.
Rusia ka paralajmëruar se lehtësimi i kufizimeve mbi përdorimin e armëve nga Ukraina do të shihej si një përshkallëzim i madh/JOQ