Britania: Përgjegjës për situatën aktuale në Siri është regjimi i Asadit
Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe deklaroi se situata aktuale në Siri u shfaq për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të regjimit të Bashar al-Asadit për të marrë pjesë në proceset politike, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e saj në lidhje me zhvillimet në Siri, zyra e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme britanike tha: "Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën për të parandaluar vuajtjet e mëtejshme, zhvendosjen e njerëzve të pambrojtur dhe ndërprerjen e ndihmës jetike humanitare".
Në deklaratë theksohet zgjidhja politike për t'i dhënë fund konfliktit në vend. "Refuzimi i vazhdueshëm i regjimit të Asadit për të marrë pjesë në procesin politik dhe besimi i tij tek Rusia dhe Irani krijoi mjedisin për zhvillimet e fundit", thuhet mes tjerash.
Gjithashtu u bëhet thirrje regjimit dhe aktorëve të tjerë që të mbështesin dhe të marrin pjesë në negociatat në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
- Operacioni "Agimi i Lirisë"
Pasi grupet e armatosura kundër regjimit filluan një operacion kundër Halepit më 27 nëntor, forcat e regjimit sirian bashkëpunuan me organizatën terroriste PKK/YPG dhe ia dorëzuan disa rajone organizatës.
Organizata terroriste, e cila solli përforcime në rajonin e Halepit nga lindja e lumit Eufrat, filloi të fortifikojë këto zona.
Përballë përgatitjeve për krijimin e një korridori terrorist midis Tel Rifat dhe Manbij, Ushtria Kombëtare Siriane nisi operacionin "Agimi i Lirisë" kundër PKK/YPG-së.
Pasi qyteza Tel Rifat u rrethua në operacion, qendra e qytezës u çlirua nga terrorizmi.
- Pushtimi i PKK/YPG-së në Tel Rifat
Terroristët e YPG/PKK-së morën kontrollin e Tel Rifatit dhe disa vendbanimeve përreth në shkurt 2016 me mbështetjen ajrore ruse.
Organizata terroriste zhvendosi rreth 250 mijë civilë nga Tel Rifati dhe rrethinat e tij ndërsa popullsia në fjalë u strehua në zonat afër kufirit turk.
Nga këtu, YPG/PKK kryente sulme ndaj pozicioneve të forcave turke të sigurisë dhe luftëtarëve opozitarë që garantonin sigurinë në vendbanimet dhe zonat e operacionit "Mburoja e Eufratit" dhe operacionit "Dega e Ullirit".
Organizata terroriste PKK/YPG e cila pushtoi qytezën Tel Rifat, u përpoq ta mbante rajonin nën kontrollin e saj duke vepruar së bashku me regjimin e Asadit dhe mbështetësit e tij.
Pasi grupet e armatosura kundër regjimit të Asadit hynë në qendër të qytetit të Halepit më 29 nëntor, forcat e regjimit tërhoqën elementët e tyre nga Tel Rifati./AA