Rënia e Assad/ Gjermania, Austria e Greqia pezullojnë kërkesat për azil nga sirianët
Pas Gjermanisë dhe Austrisë, edhe Greqia ka marrë vendimin e saj për të pezulluar kërkesat për azil nga sirianët që pas rënies së qeverisë së Bashar al-Assad.Gazeta greke “To Vima” raporton se shteti helen po përgatitet për ngrirjen e vendimeve të kërkesave për azil nga sirianët. Sipas medias Helene, rreth 9000 aplikime për azil nga Siria ndodhen në pritje në Ministrinë e Migracionit dhe Azilit në Greqi. Burimet e ministrisë për gazetën “To Vima”, janë shprehur se “ata nuk konsiderohen më refugjatë pas zhvillimeve”, ndaj dhe do të ndërmerren hapa të tilla për ngrirjen e kërkesave.
Shteti grek është në pritje të udhëzimeve nga Bashkimi Evropian lidhur me këtë çështje. Nikolaos Panagiotopoulos, anëtar i kabinetit të qeverisë greke, sipas gazetës greke, pritet të kontaktojë me Komisionerin e ri të BE-së për Punët e Brendshme, Magnus Brunner.
Kujtojmë se Gjermania njoftoi (9 dhjetor) se aplikimet nga më shumë se 47,000 njerëz mbeten në pritje ndërsa Berlini pret për më shumë qartësi mbi situatën në Siri.
Edhe Austria ka pezulluar të gjitha kërkesat për azil nga shtetasit sirianë dhe do të shqyrtojë kërkesat e miratuara tashmë pas rënies së regjimit të presidentit Bashar al-Assad, ka bërë të ditur ministria e Brendshme e shtetit./Lapsi