Siria/ Blinken takon Erdogan, kreu i HTS-së apel qytetarëve
Qytetarët sirianë morën pjesë në lutjet e së premtes, për herë të parë që nga rënia e regjimit të Assad, një javë më parë. Në një video, kreu i HTS Ahmad al Shara, i njohur më parë si Abu Mohamed al Jolani, ftoi njerëzit që të festonin në mënyrë paqësore pas lutjeve.
“I ftoj t’u drejtohen shesheve për të treguar gëzimin e tyre, pa qëlluar plumba dhe pa trembur njerëzit. Dhe më vonë, pasi ne të punojmë për ndërtimin e këtij vendi, të festojnë si fitimtarë me ndihmën e Zotit”, deklaroi Ahmad al-Sharaa, lider i kryengritësve sirianë.
Krerët e vendeve të grupimit G7 u shprehën në një deklaratë se janë gati të mbështesin një tranzicion politik që garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë pakicat etnike dhe fetare.
Ndërkohë, presidenti turk Erdogan priti në një takim sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili e vuri theksin tek rëndësia për të ruajtur vigjilencën në luftën kundër Shtetit Islamik.
“Ne diskutuam për rëndësinë e vazhdimit të luftës ndaj ISIS. Vendet tona kanë punuar shumë ndër vite dhe kanë dhënë shumë për të siguruar eliminimin e kalifatit, si dhe për të garantuar që kërcënimi i tij të mos ngrejë kokë sërish. Është jetike që t’i vazhdojmë këto përpjekje”, tha Blinken.
Në përpjekje për të moderuar retorikën dhe për të vendosur marrëdhënie me Perëndimin, qeveria e përkohshme siriane është zotuar për sundimin e ligjit dhe respektimin e diversitetit fetar në vend./EN