Lidhje


Zelenskyy nxjerr shifrat: Në luftë kanë humbur jetën mbi 46 mijë ushtarë ukrainas

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se deri më sot në luftën Rusi-Ukrainë kanë humbur jetën mbi 46 mijë ushtarë ukrainas dhe se territoret e pushtuara nuk do t'i pranojnë kurrë si territor rus.

 

Lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, në një intervistë për NBC News me qendër në SHBA, Zelenskyy tha se "Kanë humbur jetën më shumë se 46 mijë ushtarë ukrainas ndërsa janë plagosur rreth 380 mijë ushtarë ukrainas".

 

Ai theksoi se dhjetëra mijëra ukrainas u zhdukën ose u kapën peng për shkak të luftës ndërsa 19.500 fëmijë u rrëmbyen me forcë dhe u dërguan në Rusi.

 

Zelenskyy vlerësoi iniciativat e presidentit amerikan Donald Trump për t'i dhënë fund luftës dhe deklaroi se ai ka biseduar me të në telefon javën e kaluar.

 

- Zelenskyy: Në tryezë duhet të jetë edhe Evropa

 

Presidenti ukrainas Zelenskyy tha se beson se Trump ka aftësinë për të detyruar presidentin rus Vladimir Putin në bisedimet e paqes. Ai shtoi se Evropa, së bashku me SHBA-në, Ukrainën dhe Rusinë duhet të jenë të pranishme në tryezën e negociatave të mundshme për t'i dhënë fund luftës me drejtësi.

 

Duke kujtuar se Rusia kreu sulm ndaj centralit bërthamor të Çernobilit javën e kaluar, Zelenskyy mbrojti idenë se qëllimi i Putinit është të vazhdojë luftën. "Ne nuk do t'i pranojmë territoret tona të pushtuara si territor rus. Ne kurrë nuk do ta bëjmë këtë", potencoi Zelenskyy.

 

Pasi pretendoi se përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg do të vijë në Kiev në ditët në vijim, Zelenskyy tha se delegacionet e të dy vendeve vazhdojnë përpjekjet për t'u takuar me Trumpin.

 

Ai tha se ndihma ushtarake amerikane është jashtëzakonisht e rëndësishme për ta derisa lufta vazhdon. "Pa mbështetjen e SHBA-së, shanset tona për të mbijetuar janë shumë të vogla", u shpreh Zelenskyy.

 

I pyetur për marrëveshjen mes SHBA-së dhe vendit të tij për bashkëpunimin e burimeve minerale, presidenti ukrainas Zelenskyy tha se dokumenti që do të përgatitet duhet të ofrojë garanci të sigurisë për Ukrainën./AA

 

XS
SM
MD
LG