Lidhje


"Ushtria nuk do të lëshojë më territore", Izraeli planifikon praninë afatgjatë në Gazë, Liban dhe Siri

Izraeli synon të mbajë nën kontroll të përhershëm ushtarak të gjitha territoret që ka kapur në Rripin e Gazës, Liban dhe Siri.

“Ushtria do të qëndrojë në “zonat e sigurisë” të pushtuara për të vepruar si një tampon midis luftëtarëve armiqësor dhe Izraelit – në çdo realitet të përkohshëm ose të përhershëm në ato zona”, tha sot ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

 

Ndryshe nga e kaluara, ushtria nuk do të lëshojë më territore, tha Katz në lidhje me Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite ka luftuar kundër Hamasit palestinez – për më shumë se një vit e gjysmë me synimin për ta shkatërruar atë.

Katz tha se qindra mijëra banorëve u ishte kërkuar të largoheshin dhe disa zona ishin shpallur zona sigurie, pasi Izraeli synon të krijojë një zonë më të madhe mbrojtëse përgjatë kufirit të tij me Rripin e Gazës.

 

“Zona të tjera sigurie – të kontrolluara nga Izraeli ekzistojnë midis pjesëve jugore dhe veriore të territorit palestinez, si dhe midis qyteteve jugore, Rafah dhe Khan Younis.

Në Liban, ushtria izraelite vazhdon të jetë e dislokuar në pesë pika strategjike pranë kufirit.

 

Izraeli e justifikoi praninë e tij duke pretenduar se ushtria libaneze nuk kishte hyrë aq shpejt sa duhej – dhe se nuk kishte përmbushur detyrimet e saj.

Izraeli i frikësohet sulmeve të mëtejshme nga milicia libaneze e Hezbollahut, e mbështetur nga Irani.

 

Vetëm pak muaj më parë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) e kishin përshkruar praninë e saj si një “masë të përkohshme”.

Megjithatë, Katz tani ka deklaruar se Izraeli do të mbetet në një zonë tampon në Liban në pesë pika vëzhgimi.

 

Qeveria libaneze, nga ana tjetër, po përpiqet të nxisë tërheqjen e plotë të trupave të mbetura izraelite nga vendi – siç është rënë dakord në një marrëveshje armëpushimi që hyri në fuqi në fund të nëntorit – pas një viti lufte midis Izraelit dhe Hezbollahut.

Pas përmbysjes së sundimtarit të Sirisë, Bashar al-Assad në fund të vitit të kaluar, Izraeli gjithashtu dislokoi trupa në territorin sirian – pranë Lartësive të aneksuara të Golanit – veçanërisht në një zonë tampon midis dy vendeve, të kontrolluar nga OKB-ja.

 

Izraeli e justifikoi masën duke përmendur nevojën për të luftuar depot e armëve dhe rrugët e furnizimit të përdorura nga Hamasi dhe Hezbollahu.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu fillimisht e përshkroi këtë si një “masë të përkohshme”.

XS
SM
MD
LG