Izraeli përgatitet për sulm ndaj objekteve bërthamore të Iranit

Izraeli po planifikon një sulm ushtarak ndaj objekteve bërthamore të Iranit, pavarësisht mosmarrëveshjeve të brendshme në nivel politik dhe ushtarak, si dhe rifillimit të konfliktit në Gaza, sipas mediave të huaja.
Një sulm i planifikuar për në maj, i cili shihej si pjesë e axhendës strategjike të kryeministrit Benjamin Netanyahu, u shty pas ndërhyrjes së presidentit amerikan Donald Trump, raportoi The New York Times.
Ky zhvillim pasoi një vizitë të papritur të Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë më 7 prill. Gjatë takimit të tensionuar me Trump, ai u informua papritur për fillimin e negociatave SHBA-Iran për një marrëveshje të mundshme bërthamore, çka e zuri në befasi.
Gjatë muajve të fundit, Izraeli i ka propozuar administratës Trump disa opsione për të sulmuar objektet bërthamore të Iranit, përfshirë plane me afate në fund të pranverës dhe verës. Këto plane përfshijnë një kombinim të sulmeve ajrore dhe operacioneve komando, me shkallë të ndryshme intensiteti, që mund të vonojnë aftësinë e Teheranit për të zhvilluar armë bërthamore për disa muaj deri në një vit ose më shumë.
Sipas analistëve, heshtja e Izraelit lidhur me këto plane mund të tregojë se ambicia e tij e kahershme për të dobësuar programin bërthamor të Iranit po kalon nga retorika në veprim. Burimet raportojnë se Izraeli po përparon me përgatitjet, përfshirë gatishmërinë e trupave dhe koordinimin në terren me forcat amerikane.
Administrata Trump ka deklaruar më herët se çdo ndërhyrje do të nxirrte në pah aftësinë e Uashingtonit për të ndikuar në vendimmarrjen izraelite kur e sheh të nevojshme. Një sulm i suksesshëm do të kërkonte mbështetje amerikane, veçanërisht nga Forcat Ajrore të SHBA-së, qoftë përmes pjesëmarrjes direkte, qoftë përmes koordinimit për mbrojtje.
Me mbrojtjen ajrore të Iranit të dobësuar dhe ndikimin e tij të zvogëluar në rajon, Izraeli e konsideron momentin aktual si të favorshëm për veprim. Netanyahu synon jo vetëm të ndryshojë dinamikat në Lindjen e Mesme pas luftës në Gaza, por edhe të forcojë trashëgiminë e tij politike përmes arritjeve ushtarake, duke përfshirë frenimin e ambicieve bërthamore të Iranit, dobësimin e Hezbollahut dhe shtypjen e rezistencës palestineze.