Vance bën thirrje për bisedime direkte Moskë-Kiev

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, bëri thirrje për negociata të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë, duke thënë se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Moskës kundër shtetit fqinj mund të mos arrihet pa një format të tillë të negociatave.
“Nuk është e nevojshme të pajtoheni me arsyetimin rus për luftën, por duhet të kuptoni prej nga vjen ky arsyetim – t’i shtyjmë ata të flasin për atë që kërkojnë për t’i dhënë fund luftës”, tha Vance në një ngjarje në Uashington. “Rusët po kërkojnë një sërë gjërash dhe ne mendojmë se po kërkojnë shumë”.
Deklaratat e Vance, i cili javën e kaluar tha se lufta më e madhe në Evropë që nga viti 1945 nuk do të përfundojë “së shpejti”, u bënë pas sulmeve të mëdha me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës, që u kryen në prag të përkujtimit të Luftës së Dytë Botërore më 8 dhe 9 maj.
Në fund të muajit të kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se do të aplikojë një armëpushim 72-orësh nga 8 maji deri më 10 maj dhe ftoi Kievin të bëjë të njëjtën gjë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se njoftimi i tillë është propagandë dhe Rusia duhet të pajtohet për një armëpushim 30-ditor, pa kushte, në linjë me propozimin e SHBA-së të bërë në mars. Atëbotë, Ukraina ishte pajtuar me propozimin amerikan, por jo edhe Rusia.