SHBA, gjykata urdhëron lirimin me kusht të studentes turke të doktoratës Rümeysa Öztürk

Një gjyqtar federal në shtetin amerikan të Vermontit urdhëroi sot lirimin me kusht të studentes turke të doktoratës Rümeysa Öztürk, e cila u ndalua në mënyrë kontroverse nga agjentët e imigracionit në fund të marsit.
“Gjykata konstaton se ajo nuk përbën rrezik për komunitetin, as nuk paraqet rrezik ikjeje. Gjykata urdhëron qeverinë ta lirojë menjëherë znj. Öztürk nga paraburgimi”, tha gjyqtari William K. Sessions III.
Gjyqtari shtoi se Öztürk është e lirë të kthehet në shtëpinë e saj në Massachusetts.
“Ajo është gjithashtu e lirë të udhëtojë në Massachusetts dhe Vermont sipas dëshirës, dhe unë nuk do t’i vë një kufizim udhëtimi, sepse, sinqerisht, nuk mendoj se ajo përbën ndonjë rrezik ikjeje”, tha ai.
Rümeysa Öztürk, studente doktorate në Universitetin Tufts, u paraqit nga distanca në seancën gjyqësore në Burlington, Vermont, më shumë se gjashtë javë pasi u arrestua më 25 mars nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave (ICE) në Massachusetts për bashkautorizimin e një artikulli vitin e kaluar në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez në një gazetë studentore.
Seanca dëgjimore erdhi pasi Gjykata e Apelit e Qarkut të Dytë kishte urdhëruar më parë këtë javë që Öztürk të transferohej nga një burg imigracioni në shtetin e Luizianës në një gjykatë federale rrethi në Vermont./AA