Lidhje


Armëpushim i brishtë mes Indisë dhe Pakistanit, Trumpi ofron më shumë ndihmë

Një armëpushim i brishtë po mbahet mes Indisë dhe Pakistanit të dielën, pas disa orësh luftimesh gjatë natës midis fqinjëve të armatosur bërthamor, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do të punojë për të ofruar një zgjidhje në lidhje me Kashmirin.

 

Rivalët janë përfshinë në sulme intensive ajrore për katër ditë, më e keqja në gati tre dekada. Raketa dhe dronë janë gjuajtur në bazat ushtarake të njëri-tjetrit, teksa dhjetëra njerëz janë vrarë në të dyja anët, raporton Reuters.

 

Një marrëveshje armëpushimi është arritur pas diplomacisë dhe presionit nga Shtetet e Bashkuara, por brenda pak orësh, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.

 

Të shtunën vonë, India ka thënë se Pakistani ka shkelur mirëkuptimin e mbërritur për të ndaluar sulmet dhe se forcat e armatosura indiane ishin udhëzuar ta kthenin në të njëjtën mënyrë çdo përsëritje. 

 

Në përgjigje, Pakistani ka thënë se ishte i përkushtuar ndaj armëpushimit dhe ka fajësuar Indinë për shkeljet.

 

Deri në agim, luftimet dhe shpërthimet e raportuara gjatë natës kanë rënë në të dy anët e kufirit, sipas dëshmitarëve të Reuters.

 

Energjia elektrike është rikthyer në shumicën e zonave përgjatë qyteteve kufitare të Indisë pas ndërprerjes së energjisë një natë më parë.

 

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, ka vlerësuar se liderët e të dy vendeve kishin rënë dakord për të ndalur agresionin.

 

“Unë do të rris tregtinë, në mënyrë thelbësore, me të dy këto kombe të mëdha. Përveç kësaj, do të punoj me ju të dy për të parë nëse mund të arrihet një zgjidhje në lidhje me Kashmirin”, ka shkruar Trump në një postim në Truth Social.

 

India me shumicë hindu dhe Pakistani mysliman, të dyja sundojnë një pjesë të Kashmirit, por e pretendojnë atë plotësisht.

 

India fajëson Pakistanin për një kryengritje në pjesën e saj të Kashmirit që filloi në vitin 1989 dhe ka vrarë dhjetëra mijëra. Ajo gjithashtu fajëson grupet militante islamike pakistaneze për sulme diku tjetër në Indi./koha.net

XS
SM
MD
LG