Lidhje


Militantët kurdë të PKK-së njoftojnë vendimin për t'u shpërbërë pas dekadash konflikti me Turqinë

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) tha të hënën se do të shpërbëhej, në atë që do të ishte një veprim historik pas dekadash konflikti me Turqinë ku si pasojë kanë ngelur të vrarë mijëra njerëz. Grupi militant tha në një deklaratë të hënën se "të gjitha aktivitetet" e kryera nën emrin e grupit kanë marrë fund.

 

Çështja kurde ka arritur "në një pikë ku mund të zgjidhet përmes politikave demokratike", tha PKK në një deklaratë. Kongresi i 12-të, një takim vendimmarrës i nivelit të lartë nga grupi, ka "vendosur të shpërbëjë strukturën organizative të PKK-së dhe t'i japë fund luftës së armatosur", tha deklarata, duke shtuar se zbatimi i procesit do të menaxhohet dhe udhëhiqet nga udhëheqësi i tyre i burgosur, Abdullah Oçalan.

 

Deklarata nuk sqaroi nëse vendimi do të zbatohej për të gjitha degët e PKK-së në Irak, Siri dhe Iran, as nuk përshkroi se si do të kryhej çarmatimi ose çfarë do të bëhej me luftëtarët ekzistues.

 

Milicia kurde shpall armëpushim pas thirrjes së udhëheqësit për t'i dhënë fund kryengritjes pesëdekadëshe me Turqinë

 

Grupi tha se "rindërtimi i marrëdhënieve turko-kurde është i pashmangshëm" dhe se vendimi u ndikua gjithashtu nga "zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme".

 

Ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë së Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe të gjitha partive politike të "marrin përgjegjësi dhe të bashkohen me procesin e paqes dhe shoqërisë demokratike".

 

Presidenca turke tha të hënën se vendimi i PKK-së është një tregues se procesi "Turqia pa Terror" nën Erdoganin "ka fituar forcë dhe ka arritur në një fazë të rëndësishme", duke shtuar se "do të merren të gjitha masat e nevojshme" për të siguruar që procesi të përparojë.

 

Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) të presidentit tha se vendimi mund të çojë në një "epokë të re".

 

"Nëse terrorizmi merr fund plotësisht, do të hapet dera për një epokë të re", tha Omer Celik, duke shtuar se "ky vendim duhet të zbatohet në praktikë dhe të realizohet në të gjitha dimensionet e tij".

 

Për gati pesë dekada, Turqia ka qenë në luftë me PKK-në, e themeluar nga Oçalan në vitin 1978. Pjesa më e madhe e luftimeve është përqendruar në dëshirën e grupit për të krijuar një shtet të pavarur kurd në juglindje të vendit. Por vitet e fundit grupi ka kërkuar më shumë autonomi brenda Turqisë.


Udhëheqësi separatist kurd u bën thirrje ndjekësve të çarmatosen, duke i dhënë fund potencialisht një kryengritjeje pesëdekadëshe me Turqinë

 

Në mars, PKK shpalli një armëpushim të menjëhershëm pasi Oçalan u bëri thirrje luftëtarëve të linin armët dhe të shpërndanin grupin.

 

Konflikti vlerësohet të ketë vrarë të paktën 40,000 njerëz.

 

Populli kurd ka pasur një marrëdhënie të ndërlikuar me Erdoganin. Udhëheqësi turk i joshi kurdët në vitet e mëparshme duke u dhënë atyre më shumë të drejta dhe duke përmbysur kufizimet në përdorimin e gjuhës së tyre. Në vitin 2013, Erdogan punoi me Partinë Demokratike të Popullit (HDP) pro-kurde në procesin e shkurtër të paqes me PKK-në.

 

Bisedimet u prishën dhe lidhjet u përkeqësuan në vitin 2015. Lufta e Turqisë me PKK-në ka çuar në një goditje të gjerë në vitet e fundit kundër partive pro-kurde, të cilat janë akuzuar nga qeveria turke se kanë lidhje me grupin dhe bashkëpunëtorët e tij.

 

Kurdët janë pakica më e madhe në Turqi, duke përbërë midis 15% dhe 20% të popullsisë, sipas Grupit Ndërkombëtar të të Drejtave të Minoriteteve. Ata gjithashtu kanë një prani të konsiderueshme në Sirinë veriore, Irakun verior dhe Iran./Nga CNN

XS
SM
MD
LG