Vidhen 40 milionë $ të armëve për Ukrainën
Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës njoftoi se kishte zbuluar një skemë korrupsioni në blerjen e armëve nga ushtria e këtij vendi. Bëhet fjalë për rreth 40 milionë Dollarë të destinuara për blerjen e 100 mijë predhash mortaje, por që ishin zhdukur. Autoritetet thanë se të përfshirë në këtë skemë ishin zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës si dhe menaxherë të kompanive furnizuese të armëve për qeverinë e Kievit.
Kontrata për predhat ishte lidhur në Gusht 2022, vetëm gjashtë muaj pas nisjes së luftës dhe pagesa ishte bërë paraprakisht, por armët nuk mbërritën kurrë. Fondet ishin transferuar jashtë vendit dhe më kishin kaluar në llogari të tjera të huaja.
5 personave u ishte konfirmuar vënia nën hetim ndërsa njëri prej të dyshuarve u arrestua në kufi në përpjekje për t’u larguar nga Ukraina. Korrupsioni brenda ushtrisë ka qenë një çështje mjaft e ndjeshme në Ukrainë.
Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov u shkarkua Shtatorin e kaluar pas disa akuzave për korrupsion pavarësisht se gëzonte një reputacion të mirë në përfaqësimin e Ukrainës në diskutimet e saj me aleatët perëndimorë.
Edhe pse ai nuk pretendohej të ishte përfshirë personalisht, shkak u bënë disa raste korrupsioni, një për furnizimin e trupave me ushqim dhe një tjetër për blerjen e veshjeve të përshtatshme për ushtarakët.
/Tv Klan