Libani miraton planin amerikan për çarmatosjen e Hezbollahut deri në fund të vitit

Qeveria e Libanit ka dhënë miratimin paraprak për një plan të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, që synon çarmatosjen e plotë të grupit Hezbollah deri më 31 dhjetor 2025 dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga territori libanez. Lajmin e bëri të ditur ministri i Informacionit, Paul Morcos, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar në Bejrut.
Sipas Morcos, plani është miratuar vetëm në parim dhe pa u diskutuar në detaje, ndërsa theksoi se “ky është një hap i rëndësishëm drejt stabilitetit dhe sovranitetit kombëtar”.
Burime politike bëjnë me dije se përfaqësuesit e Hezbollahut dhe aleatët e tyre shiitë kanë braktisur mbledhjen në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi.
Faza përmbyllëse parashikon çmontimin e arsenaleve të rënda të Hezbollahut, përfshirë raketat dhe dronët, si dhe organizimin e një konference ndërkombëtare për rindërtimin ekonomik të Libanit. Konferenca pritet të mbahet nën patronazhin e SHBA, Arabisë Saudite, Francës, Katarit dhe disa vendeve të tjera.
Plani vjen në një kohë tensioni të lartë mes Izraelit dhe Hezbollahut dhe në sfondin e frikës për një konflikt të mundshëm më të gjerë në rajon. Deri në këtë moment, as Izraeli dhe as Hezbollah nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj propozimit amerikan./euronews