Putin propozon armëpushim: Ukraina të tërhiqet nga Donbasi dhe të njohë Krimenë

Sipas një raportimi të gazetës prestigjioze amerikane Wall Street Journal, Presidenti rus Vladimir Putin ka prezantuar një plan për t’i dhënë fund menjëherë luftës në Ukrainë gjatë një takimi të mbajtur me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff.
Në bazë të burimeve që citon Wall Street Journal, plani i propozuar nga Kremlini parashikon njohjen ndërkombëtare të kontrollit të plotë të Rusisë mbi rajonet e Donetskut dhe Luhanskut të njohura së bashku si Donbasi si dhe njohjen zyrtare të aneksimit të gadishullit të Krimesë, të pushtuar nga Moska që prej vitit 2014.
Plani i paqes thuhet të jetë i ndarë në dy faza. Fillimisht, parashikohet që Ukraina të tërheqë forcat nga Donbasi dhe të pranojë juridikisht aneksimin e Krimesë nga Rusia. Në këtë pikë do të shpallet një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit në rajonet e Khersonit, Zaporizhzhias dhe Donbasit.
Në fazën përfundimtare të marrëveshjes, Rusia do të tërhiqet pjesërisht nga territoret e pushtuara në Kherson dhe Zaporizhzhia, duke lejuar kështu një marrëveshje paqeje nëpërmjet një formule të shkëmbimit territorial.
Sipas Institutit për Studimet e Luftës me seli në Uashington, aktualisht Rusia kontrollon rreth 26% të rajonit të Khersonit dhe mbi 70% të territorit të Zaporizhzhias. Ndërkohë, në Donbas që përfshin Donetskun dhe Luhanskun Moska ka nën kontroll më shumë se 80% të territorit.
Ky plan, sipas Wall Street Journal, pritet të diskutohet nga Presidenti Putin dhe Presidenti amerikan Donald Trump në një takim të mundshëm të premten. Megjithatë, propozimi është pritur me skepticizëm nga Kievi dhe liderët evropianë, të cilët e shohin si një përpjekje të Rusisë për të konsoliduar fitimet territoriale dhe për të ulur presionin nga sanksionet ndërkombëtare./euronews