Lidhje


Frikë nga një 'Luftë Civile': Në SHBA Patrulla Kufitare dhe Garda Kombëtare "përplasen' në Teksas.

Ka skenare të errëta se SHBA-ja mund të rrëshqasë në "luftë civile" për shkak të një përplasjeje të çuditshme në një park të Teksasit, ku disa kanë frikë se mund të shohin kahe të ndryshëm të qeverisë amerikane në konflikt të hapur dhe të armatosur me njëri-tjetrin. Patrulla kufitare federale e SHBA-së (USBP) dhe Garda Kombëtare e Teksasit janë tani në një konfrontim ballë për ballë për të parë se kush do të jetë i pari që do të dorëzohet.

 

 

Epiqendra e grindjes është parku komunal Shelby në qytetin e vogël Teksan të Eagle Pass, 230 km në jug-perëndim të San Antonio. Qyteti – dhe parku i tij – përshkohen nga lumi Rio Grande i cili shënon kufirin me Meksikën.

 

Është detyrë e rojeve të USBP-së të patrullojnë kufirin. Por në fillim të këtij muaji Teksasi autorizoi Gardën e tij Kombëtare që të marrë nën kontroll parkun buzë lumit. Normalisht një pjesë e gjelbër me një fushë golfi dhe fushë bejsbolli, në këtë moment Garda Kombëtare e ka militarizuar së tepërmi situatën.

 

Trupat kanë vendosur tela me gjemba dhe gardhe në një përpjekje për të reduktuar numrin e njerëzve që kalojnë ilegalisht lumin dhe kalojnë nëpër park ndërsa arrijnë në SHBA.

 

Qeveria në Uashington DC ka kërkuar që Teksasi të heqë fortifikimet - ose do ta bëjë vetë.

 

Muajin e kaluar, një rekord prej 225,000 emigrantësh kaluan kufirin ilegalisht, shumë prej tyre duke kaluar nëpër Rio Granden e rrezikshëm.

 

Guvernatorët republikanë kanë akuzuar qeverinë demokratike të udhëhequr nga Joe Biden në Uashington DC se nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndaluar fluksin e emigrantëve dhe kështu kanë pohuar se u është dashur t'i marrin gjërat nën kontrollin e tyre.

 

Qeveria federale, nga ana tjetër, ka pretenduar se republikanët po e përkeqësojnë çështjen e kufirit duke mos miratuar legjislacionin e përforcuar të sigurisë.

 

Ka pasur gjithashtu akuza se kandidati për president Donald Trump po inkurajon në mënyrë aktive republikanët që të pengonin çdo marrëveshje për kufirin në Kongres, në mënyrë që ajo të mund të bëhej një çështje zgjedhore.

 

Ngritja e telave me gjemba dhe gardheve erdhi si një përshkallëzim i taktikave nga shtetet kufitare republikane, të cilat kishin për detyrë edhe transportin me autobus të emigrantëve të sapoardhur, shumë nga Amerika Qendrore, duke i shpërndarë në qytetet e drejtuara nga demokratët si Nju Jorku.

 

Ndërsa shumë nga shtetet e ndryshme thjesht kanë thënë se nuk kanë kapacitet e duhura për t'u marrë me fluksin.

 

Në javët e fundit, Guvernatori i Teksasit Greg Abbott – një kritik i paepur i zotit Biden – nisi operacionin "yll i vetmuar”.

 

“Për shkak se administrata Biden ka hequr dorë me të vërtetë nga përgjegjësia e saj për të siguruar kufirin dhe për të zbatuar ligjet, Teksasi, shumë thjesht, po e siguron vet kufirin,” tha Abbott për Fox News.

 

Operacioni "yll i vetmuar” ka përfshirë Gardën Kombëtare të Teksasit - një forcë rezerviste që është nën kontrollin e dyfishtë të qeverisë shtetërore dhe asaj federale.

 

Çdo shtet ka një Gardë Kombëtare, shumë prej të cilave rrjedhin nga milicitë që ekzistonin para formimit të SHBA.

 

Roli kryesor i kësaj organizate është të shtojë trupa shtesë në ushtrinë amerikane në kohë lufte, por gjithashtu mund të ndihmojë, për shembull, në lehtësimin e fatkeqësive dhe të mbështesë mbarvajtjen e protestave. Ndonëse nuk është e padëgjuar që Garda Kombëtare e shteteve të ndryshme të ndihmojë në përforcimin e fuqisë kufitare – pasi ajo vepron në bashkëpunim me Patrullën Kufitare dhe jo në kundërshtim me të.

 

Departamenti federal i drejtësisë ka thënë se telat dhe gardhet e vendosura nga Teksasi i kanë penguar agjentët e kufirit të bëjnë punën e tyre duke u mohuar hyrjen në kufi, edhe në rast emergjence.

 

Ajo ka thënë se një nënë dhe dy fëmijët e saj vdiqën në Rio Grande sepse agjentët kufitarë nuk ishin në gjendje të monitoronin rrugën ujore.

 


Por pyetja që shtrohet është se, a do ta shpjerë kjo përpasje e autoriteteve Amerikën në luftë civile?

 

 

Raporton/news.com dhe Fox news

XS
SM
MD
LG